Këtë të premte u prezantua reforma në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës. Nga e hëna do të mbyllen sportelet dhe qytetarët do të aplikojnë dhe do të marrin përgjigje përmes aplikacionit e-Albania.
Drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, tregoi se cilët janë 7 punët kryesore që sollën këtë transformim.
1.Kush vjen i pari, trajtohet i pari
Karçanaj tha se është përmirësuar ndjeshëm teknologjia dhe janë përmirësuar të 74 shërbimet elektronike të Kadastrës në portalin e-Albania.
“Është implementuar plotësisht radha ‘first in, first out’. Kush vjen i pari trajtohet i pari. Ka qenë e implementuar edhe më parë, por ishte ndryshe radha e qytetarëve që aplikonin në e-Albania dhe ndryshe radha e noterëve në një sistem tjetër. Që do të thotë se i jepej prioritet noterëve. Qytetari nuk aplikonte vetë se e dinte që po të shkonte te noteri do trajtohej më shpejt. Tani është e njëjta radhë. Zyrtari i Kadastrës nuk shikon fare kë ka për të trajtuar. Nuk e merr të dhjetin për ta trajtuar se ka futur mik. Ka aplikimin e radhës, mund të trajtojë vetëm atë dhe nuk bën dot asnjë veprim. Këto zhvillime i kanë dhënë fund sekserëve që ndërhynin për të fituar dhe kaluar aplikime pa radhë”, tha Karçanaj.
2.Çdo gjë e monitorueshme në sistem
Së dyti, Karçanaj tha se është shmangur abuzim i zyrtarëve të Kadastrës që shtynin pa fund procesimin e aplikimit me pretekstin që po bënin akt-verifikimin.
“Ka qenë jashtë sistemit akt-verifikimi, nuk kuptonte njeri se ç’bëhej. Tani çdo gjë është e monitorueshme në sistem dhe nuk ka shans t’i kërkohet qytetarëve gjëra kot të panevojshme”, tha ajo.
3.Sistemi “fast tracking”
Karçanaj bëri me dije se është implementuar sistemi i përshpejtuar.
“Ai që ka një hall me Kadastrën paguan shërbimin dhe e merr në kohë rekord. Lekët nuk shkojnë në xhepat e sekserëve, as të zyrtarëve të korruptuar, por shkojnë në buxhet”, tha ajo.
4.Unifikohet sistemi
Drejtoresha e AKSHI-t tha se është unifikuar sistemi.
“Tani ka një sistem të unifikuar, të integruar, sistemi multifunksional. Është e pamundur të bësh ndërhyrje të paautorizuara në regjistrin e pronës”, tha Karçanaj.
5.Nuk ka më vula me bojë
Gjithçka do të jetë me vulë dhe nënshkrim elektronik. Karçanaj u shpreh se nuk ka do të ketë më vula me bojë në Kadastër.
“Ky ndryshim që është në lehtësim, por në radhë të parë siguri, tregon që institucioni i është përshtatur proceseve dixhitale të punës duke rritur transparencën dhe efikasitetin. Tani jemi në fazën që kushdo aplikon në e-Albania merr dokumentin me vulë elektronike, me nënshkrim elektronik”, theksoi ajo.
6.Teknologjia “block chain”
Transaksionet e të dhënave të pronës ruhen në teknologjinë block chain.
“Kjo bën të mundur që tani të kemi një regjistër të përhershëm. Çdo ndryshim që i bëhet njoftohet në kohë reale qytetari në e-Albania dhe nuk do t’i lëvizet më as presja. Këtë teknologji do e aplikojmë edhe në arkivat dixhitale që rriten çdo ditë. Kjo i ka vënë vulën e sigurisë dhe besueshmërisë çështjes së pronave në Shqipëri”, u shpreh Karçanaj.
7.Riinxhinierizim i proceseve të punës
Karçanaj njoftoi se pjesa më e madhe e proceseve të punës janë të riinxhinierizuara.
“Nuk do ketë më shefa zonash që ndajnë aplikimet. Është aplikimi shefi i zonës. E ndan sistemi në varësi të fluksit, llojit të aplikimit, ku e çon aplikimin e radhës”, u shpreh ajo.
Karçanaj njoftoi se më tej se do të pilotohet edhe Kadastra 3D e cila është thelbësore për zonat urbane.
“Implementimi i kadastrës 3D do përmirësojë shërbimet”, tha ajo.
/a.r