Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – nëpërmjet një komunikate për media, ka reaguar ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti në pjesën veriore të territorit të banuar me serbë etnikë, përkatësisht te Kroi i Vitakut në Mitrovicën Veriore.
Kryeministri Kurti, sipas kësaj partie që dirigjohet nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, hyri në veri si hajdut i rrethuar nga “dhjetëra persona të armatosur” dhe për më tepër, vizitën e tij e kanë konsideruar si “provokim” në një kohë tensionesh të larta atje.
“Si druvar, apo hajdut kur fillon të vjedhë, i rrethuar nga dhjetëra persona të armatosur, Albin Kurti, erdhi në skajet e veriut të Kosovës, më saktësisht në skajin e Mitrovicës Veriore, për t’ua treguar ndërmjetësve të Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell, si duket de-përshkallëzimi në terren”.
“Kush do të jetë tani pala tjetër përgjegjëse për këtë provokim?”, kanë pyetur nga Lista Serbe, ndërsa gjithashtu kanë pretenduar se në veri të Kosovës nuk ka pasur kurrë probleme ndër-etnike mes shqiptarëve dhe serbëve, porse ato sipas tyre i ka shkaktuar kryeministri Kurti.
“Kurti mendon se është i madh dhe i fortë, natyrisht kur është në shoqërimin e dhjetëra personave të armatosur që as nuk e dinë arsyen e këtij ekskursioni, që sigurisht është një dëshmi e ideologjisë pushtuese të Kurtit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendës-ministrin Blerim Gashani, të mërkurën kanë vizituar Policinë e Kosovës në pjesën veriore të territorit të banuar me shumicë serbe.
Kryeministri Kurti, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka njoftuar se me policët në detyrë atje, ka ndarë bakllavë dhe ëmbëlsira me rastin e festës së Kurban Bajramit, ndërsa ka shtuar se përgatitja profesionale e tyre është garanci për sigurinë e gjithë qytetarëve.
“Bakllava e ëmbëlsira për policët tanë në veri të vendit. Bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendësin e tij, Blerim Gashani, vizituam njësitet tona te Kroi i Vitakut. Përgatitja e lartë profesionale është garanci për zbatimin e ligjit dhe për sigurinë si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim”.
Ndryshe, tensionet janë kthyer pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.
Serbët lokalë janë duke protestuar për çdo ditë që prej 29 majit në këto komuna të banuara me serbë etnikë – kryesisht në Leposaviq dhe në Zveçan – për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë atje dhe prezencën e Policisë së Kosovës pranë objekteve komunale.
Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.
Kreu i ekzekutivit ka shprehur gatishmërinë për t’i dëgjuar kërkesat e serbëve lokalë dhe të pajtohet për rizgjedhje në komunat veriore pas tensioneve të fundit atje. Por me kushte: serbët të mos i bojkotojnë ato si herën e fundit dhe të garantohet sundimi i ligjit./m.j