Gjykata e Posaçme ka dënuar me 6 muaj burg ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja, i cili akuzohet për fshehje të pasurisë. Dënimi do t’i konvertohet në 1 vit shërbim prove. Prokuroria kishte kërkuar 1 vit burg për Dedjan, por Gjykata dha dënimin me 6 muaj.
Bashkim Dedja është i pari nga ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e shkarkuar nga vettingu që dënohet nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa të tjerë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga vettingu janë ende nën hetim.
SPAK e akuzon Dedjan se ka fshehur në deklarimin e një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë. Sa i takon këtij apartamenti, Dedja ka thënë se është i vëllait të tij dhe thjesht e ka pasur në përdorim, por ky pretendim i tij nuk e ka bindur Prokurorinë.
Sipas akuzës, Dedja ka kryer deklarim të rremë të një apartamenti me sipërfaqe 146 m katror në Tiranë lidhur me një hua 10 mije euro të marrë nga kunati i tij. SPAK thekson se nga hetimi huadhënësi rezultoi në pamundësi për dhënien e kësaj huaje.
Bashkim Dedja akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për akuzë të ngjashme është nën hetim edhe ish-gjyqtari tjetër i Kushtetueses, Fatos Lulo.
Ish-kryetari i gjykatës kushtetuese e kaloi shkallen e parë të vettingut, por ishte shkalla e dytë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit që e rrëzoi duke e larguar nga detyra./m.j