Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se përshkallëzimi i situatës në Kosovë nuk e ka arritur pikun dhe se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron luftë.
“Ai dëshiron të ndodhë gjithçka që unë dua të shmang. Ne nuk e kemi arritur pikun e përshkallëzimit të krizës në Kosovë, siç mendojnë disa, mirëpo Kurti dëshiron luftë. Ai lutet për diçka të tillë”, ka thënë presidenti serb për Televizionin Pink në Beograd.
Ai ka thënë se Kurti nuk do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse duhet të formohet “në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara”.
Vuçiç ka thënë se tre policët e Kosovës të rrëmbyer nga polica serbe më 14 qershor nuk do të shpëtojnë pa aktakuzë. Madje ai pretendon se janë arrestuar në territorin e Serbisë dhe për këtë thotë se ka prova.
“Nuk besoj se është e mundur të ikësh pa një aktakuzë. Ajo që po u them njerëzve është se njësitet tona i arrestuan në territorin e Serbisë qendrore. Kemi të gjitha materialet që e vërtetojnë. Meqë ra fjala, ne ofruam që të gjithë anëtarët tanë nga ajo njësi t’i nënshtroheshin një ekzaminimi poligrafik”, tha ai.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Sipas Vuçiçit, Forca e Sigurisë së Kosovës është “më shumë e pajisur” me armë serioze turke. Ai ka thënë se Kosova është duke ndërtuar një ushtri, e cila nuk i lejohet me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
“Turqit u kanë dhënë atyre armë shumë të fuqishme anti-tank, mortaja, obusë”.
Vuçiç ka thënë se për këtë arsye Serbia ka hequr dorë nga blerja e dronëve nga Turqia, mirëpo që një numër i madh i dronëve kamikazë do të arrijnë shpejt në Serbi nga shtetet tjera, përfshirë Kinën.
I pyetur për qasjen e Shteteve të Bashkuara kundrejt Serbisë, Vuçiç ka thënë se “amerikanët nuk e kanë qasjen e njëjtë ndaj Serbisë, sikurse në vitet 90’”, por qasja është “shumë më e mirë”.
“Ata vetëm se e kanë qasjen e njëjtë ndaj Kosovës”, ka thënë Vuçiç, dhe ka shtuar se duhet pasur shumë kujdes “çfarë do të thonë Perëndimi dhe Lindja”.
Vuçiç ka thënë të dielën se duhet të takohet me serbët nga veriu i Kosovës, ku tensionet janë rritur prej fundit të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, kanë hyrë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut.