Sasia e drogës së sekuestruar dhe shkatërruar në Shqipëri më 2015 ka pasur vlerë mbi 10 miliardë euro. Kjo është shifra që jep ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një intervistë për New Europe, duke komentuar sfidat e Shqipërisë në rrugën drejt hapjes së negociatave. Tahiri thotë se sfidat janë të brendshme, por edhe të jashtme.
“Sot, Shqipëria së bashku me BE përballet me një seri sfidash serioze si kriza e refugjatëve dhe lufta ndaj terrorizmit”.
“Nuk e ekzagjeroj kur them se këto rrethana ndikojnë në procesin e negociatave. Përveç kësaj, ne kemi sfidat tona të brendshme si çrrënjosja e korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
“Qeveria po bën çdo përpjekje për të luftuar këto problemin dhe kemi arritur tashmë rezultate pozitive”.
“Për shembull, në vitin 2015, sasia e drogës e konfiskuar dhe shkatërruar i kalon 10 miliardë euro. Gjatë të njëjtit vit, ne kemi shpronësuar pasuri të paligjshme në vlerën e 30 milionë eurove. Përsa i përket luftës ndaj korrupsionit, e kemi nisur me policinë”.
“Aktualisht, nga gjithsej 10 mijë oficerë që shërbejnë në polici, më shumë se 2 mijë janë në ndjekje penale ose disiplinore me akuza për korrupsion ose keqpërdorim të postit”.
“Prandaj, hapja e negociatave është vetëm një hap për ne. Përpara kësaj, ne duhet të vendosim rendin në shtëpi dhe të garantojmë se qytetarët janë të barabartë përpara ligjit”.