Kontrollet e policisë me urdhër të SPAK në ambjentet e kampit Ashraf 3, shkaktuan tensione dhe përplasje me muxhahedinjtë.
Paralelisht autoritetet vijojnë hetimet për t’u shprehur zyrtarisht mbi shkaqet e vdekjes së një të moshuari brenda kampit Ashraf, për të cilin policia u shpreh se nuk ka pasur lidhje me ndërhyrjen e policisë.
Top Channel mëson se personi që ndërroi jetë brenda kampit Ashraf 3 më herët ka qenë i shtruar në spital për shkak të problemeve kardiake. Trupi i pajetë mbrëmjen e djeshme u transportua në morgun e kryeqytetit ku iu nënshtrua autopsisë dhe analizave mjeko-ligjore.
Nga të dhënat paraprake mjekët kanë konstatuar se trupi i pajetë nuk ka dëmtime dhe vdekja mund të ketë ardhur nga arresti kardiak.
Përgjigjja përfundimtare pritet të dalë javë më vonë kur të dalin përgjigjet e analizave mjekoligjore.
Nga ana tjetër, Agjencia e Mbikqyrjes policore ka çelur një hetim për të verifikuar veprimet e policisë nëse kanë qenë konform ligjit duke respektuar etikën dhe të drejtat e qytetarëve iranianë gjatë ndërhyrjes.
Nga kundërshtimi i forcave të policisë të cilat po zbatonin një vendim gjykate morën lëndime 15 punonjës policie si dhe u dëmtuan disa automjete./m.j