Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se përçarjet brenda PD-së i interesojnë vetëm kryeministrit Edi Rama.
Komentet Bardhi i bëri përmes një deklarate për mediat, ku tha se nxitimi për të zgjedhjur kryetarin e ri të PD-së, nuk është shpëtim për këtë forcë politike.
Ai njoftoi gjithashtu bojkotimin e Këshillit Kombëtar ditën e nesërme nga mbi 17 anëtarë të Grupit Parlamentar të PD.
“Rruga që kemi nisur nuk mund t’i ngjajë proceseve fiktive që e kanë dëmtuar PD-në në të shkuarën. Kjo është një histori e shëmtuar dhe anti-statutore që nuk duhet të përsëritet më në Partinë Demokratike.
Në këtë moment PD ka nevojë për maturi, jo konflikt, reflekti me jo urrejtje. Ka nevojë për mendimin ndryshe dhe jo përjashtime të reja. Kujt i shërben një tjetër konflikt në PD? Përse sajohen provokime dhe devijime nga statuti që na ndajnë, kur sot duhet të jemi bashkë. Kujt i intereson kjo ndarje? Di të them me siguri se është e qartë se ky nuk është interesi më i mirë i demokratëve dhe Shqipërisë. Një PD që humbet në debatet e brendshme i intereson vetëm Edi Ramës dhe regjimit të tij.
Ky qëndrim nuk më shërben mua. Do ishte e lehtë të bënim rolin sa për të marrë një post, por ju siguroj se as nuk kemi dhe as nuk do bëjmë kompromis për shpërbërjen e PD-së. Nuk ka kompromis për këtë. Beteja e kolegëve të mi ka vetëm një qëllim, të qëndrojmë përballë pushtetit dhe të kthehemi në alternativë qeverisëse.
Nxitimi për të zgjedhur kryetarin nuk është shpëtim. Të qëndrojmë përballë pushtetit dhe ta bëjmë PD forcë të besueshme dhe qeverisëse. Po flasim vetëm për pjesën e kolegëve që kanë qenë të rreshtuar në PD zyrtare. Numri i deputetëve të deputetëve të Grupit Parlamentar që nuk do të marrin pjesë në mbledhje, do të jetë më i madh se kaq. Kjo është arsyeja që kemi apeluar për maturi”, u shpreh Bardhi./m.j