Edhe pse në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli, Marko Millosheviç, djali i ish-presidentit famëkeq të Serbisë dhe ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, është shfaqur për herë të parë në publik pas 20 vitesh.
Millosheviç u filmua në Moskë gjatë një ceremonie për zbulimin e një busti të ndërtuar për të nderuar figurën e babait të tij. Ai shihet në një video të publikuar në Twitter në shoqërinë e Aleksandër Zaldastanov, i njohur si ‘Kirurgu’, bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Vladimir Putinit dhe lideri i grupit të njohur si “Ujqërit e natës”.
Shumë nga njerëzit e pranishëm as nuk e njohën Markon, ndërsa të tjerë shprehen se ai me kalimin e viteve gjithnjë e më shumë i ngjan Sllobodan Millosheviçit.
Sipas Blic.rs, djali i Millosheviçit dukej shumë ndryshe në krahasim me fotot e fundit të disponueshme nga më shumë se 20 vjet më parë, qartazi më i plakur dhe i thinjur.
Ndërkohë në videon, e cila zgjat pak më pak se 50 sekonda, Zaldastanov prezanton djalin e Millosheviçit, me Markon i cili më pas i drejtohet turmës duke përsëritur fjalët e babait të tij të shkruara në monument.
“Siç është shkruar këtu, ne ishim, për fat të keq, një provë e asaj që ndodhi me Rusinë dhe asaj që po ndodh tani në Ukrainë. Luftërat jugosllave janë të njëjta. Fatkeqësisht, ne e humbëm betejën, por shpresoj se nuk e humbëm luftën. Për gabimet tona dhe për fatin tonë, rusët morën një mësim dhe ne do të fitojmë! Fitore”, tha Marko Millosheviç teksa qëndronte para flamurit serb.
Ai nuk është shfaqur në publik që pas rënies së regjimit të babait të tij më 5 tetor, kur Marko u arratis në Rusi pasi u padit me dyshimin për përfshirje në krimin e organizuar. Më 7 tetor ai u largua nga Serbia dhe shkoi në Moskë nëpërmjet Pekinit, ku iu dha azil politik.
Që atëherë, për të ka pasur vetëm informacione të pakta, ndërsa përflitej se ai drejtonte një biznes fitimprurës në kryeqytetin rus dhe se ishte rimartuar.
Për të ka një urdhër-arresti nga Interpoli në Serbi, sipas të cilat ai duhet të arrestohet nëse do të shihet ndonjëherë në vend.
/a.r