Historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi i ftuar në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv foli për historinë e Mesjetës së Shqipërisë. Akademiku flet për arkivat e Venecias, ku ka parë një pafundësi dokumentesh që hedhin poshtë teza të ndryshme për Shqipërinë në Mesjetë dhe jo vetëm. Në Venecia, thotë Xhufi ka aq shumë dokumente sa mund ta shohësh historinë në të gjitha dimensionet e saj, jo vetëm ushtarake, por politike, diplomatike, kulturore.
“Në vitin 2002 ne si Akademi e Shkencave kemi bërë një histori të Shqipërisë me katër vëllime. Unë kam bërë Mesjetën, një pjesë të saj deri te Skënderbeu. Ajo që kam shkruar unë në vitin 2002 nuk më hyn fare në sy mua, autorit sepse unë kam shkuar në Venecia kam parë arkivat, në Spanjë, Napoli dhe e them me plot gojë që historia e Mesjetës është krejt ndryshe nga ajo që themi ne. Nuk është Mesjeta vetëm mesi i shekullit te 15-të. Ne kemi shekullin e shekujve 10-11-12-13, pas Skënderbeut i 16-17-ti me një masë të jashtëzakonshme dokumentesh që hedhin poshtë edhe teza të ndryshme. Një nga tezat që thotë se shqiptarët kanë ardhur, është një gjuhëtar gjerman Vajgandi që thotë; Fakti që shqiptarët me lundrimin e detit nuk kanë një raport të mirë, nuk e njohin detin, nuk shquhen si lundërtarë…” Po të shohësh dokumentet mesjetare ka shqiptarë tregtarë të ndershëm e të pandershëm, piratë, detin e kishin të tyre. Prandaj them që ka dokumente që përmbysin teza që janë ngritur prej shekujsh dhe nuk i luan kush. Janë dokumente pa fund në Venecia. Disa dokumente, për çështjen e detit. Janë rreth 2500 dosje të mëdha, nga të cilat unë për katër here që shkova me një përpjekje gjiganteske munda të ezauroj vetëm 100 dosje. Aty janë dosje që flasin për Shqipërinë. Ka dosje ku 80% e materialit është vetëm për Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një bazë për Republikën e Venedikut, sa i përket qyteteve. Tivari, Ulqini, Shkodra, Lezha, Durrësi, Ishmi, Vlora, Butrinti, Kepi i Rodonit. Ka dokumente pafund. Ka dokumente për ta parë historinë në të gjitha dimensionet e saj, jo vetëm ushtarake, por ka histori politike, diplomatike, kulturore, të institucioneve.”, u shpreh Xhufi ndër të tjera.
/a.r