Ka nisur mesditën e sotme mbledhja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar. Në fjalën e tij, Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka thënë se duhet reflektuar mbi sulmet kibernetike dhe të investohet sa më shumë në sektorin e mbrojtjes prej tyre.
“Një vit më parë, ne u përballëm me sulme shumë të rënda, komplekse dhe sofistikuara kibernetike. Sulmet synuan shkatërrimin e infrastrukturës dixhitale të Republikës së Shqipërisë, me qëllim nxitjen e destabilitetit në vend. Institucionet tona bënë të mundur që aktorët që ndërmorën këto sulme të mos e realizonin qëllimin e plotë të tyre. Vlerësoj maksimalisht punën e bërë nga institucionet. Bashkëpunimi me partnerët strategjikë SHBA, BE, NATO-n ka mundësuar trajnimin e specialistëve, ekspertëve etj. Ligji i ri për sigurinë kibernetike dhe strategjia kombëtare e sigurisë kibernetike do i shërbejnë më së miri ndërtimit të kapaciteteve modern.
Pavarësisht masave të marra aktorët kërcënues kibernetikë, kryesisht të mbështetur dhe financuar nga Republika Islamike e Iranit e kanë zgjeruar veprimtarinë e tyre. Sulmet kibernetike janë shtuar si në sasi, por janë bërë edhe më të sofistikuar. Një vit pas sulmeve është koha të reflektojmë se çfarë kemi bërë, sa të përgatitur jemi në përballje me sulme të mundshme. Të vendosim se ku duhet të fokusohen përpjekjet dhe investimet tona për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes kibernetike. Krahas sigurisë kibernetike ne do diskutojmë edhe për çështje të tjera me rëndësi për sigurinë kombëtare”, ka thënë Begaj.
Pjesëmarrës në këtë mbledhje janë Kryeministri Rama, zv/kryeministrja, Belinda Balluku; ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi; ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka; ministri i Brendshëm, Bledi Çuç; ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj; kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Nasip Naço; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Arben Kingji; Drejtori i Policisë, Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni. Mësohet se mungon kryeparlamentarja Lindita Nikolla.
/a.r