“Kurti duhet identifikuar si “ politikan i rrezikshëm” për të ardhmen e vendit që duhet neutralizuar. Përndryshe, dëmet për Republikën tonë do ishin të pamatshme. SHBA nuk mund të jetë gjithë jetën një dado në dispozicion të Kosovës”.
24 vjet pas çlirimit të Kosovës, ish Kryeministri i qeverisë së parë , Bujar Bukoshi, e ka të vështirë të jap një intervistë për gazetën Tema.
Bukoshi flet për vështirësitë e para të mëdha në kontaktet me Perëndimin dhe rritjen e besueshmërisë së Kosovës tek bota demokratike. Në fund Kosova arriti shndërrimin në aleat historik të SHBA, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që sot ndjehen të hidhëruar me garniturën qeveritare dhe opozitën e Kosovës.
Tema: Zoti Bukoshi, sot po futemi në çerekshekullin e parë, me Kosovën e lirë …
Bukoshi: Po. Shkoi çerek shekulli si një ëndërr. Ec e mos u gëzo për këtë liri.
Tema: Cili ka qenë meraku i Juaj atëherë kur u futën trupat e NATO-s në Kosovë ?
Bukoshi : Me thënë të drejtën meraku i vetëm që kisha ishte mos futja e trupave të NATO-s në Serbi, ashtu si u futën aleatët në Gjermaninë naziste. Ai vend duhet të denazifikohej, pasi është rrënja e çdo konflikti në rajon.
Tema: E meraku sot ?
Bukoshi: Mungesa e katarsisit serb, d.m.th., denazifikimit, që do shpëtonim ne, ndoshta edhe Serbia, është një nga shqetësimet e mia. Por meraku im edhe më i madh sot është rregullimi i shtetit të lirë të Kosovës prapë me ndihmën e SHBA dhe Perëndimit.
Tema: A do t’ia kishte dal dot Kosova pa ndihmën e NATO-s ?
Bukoshi: Pa atë ndihmë të bekuar do i kishim sot Arkanët, Sheshelët në hotel “Grand” dhe barbarët serbë duke bërë kërdinë me shfarosje… Ndoshta Albin Kurti do ishte në burg duke lexuar Dostojevskin…
Tema: A keni një mesazh tuaj për të ardhmen e raporteve me Serbinë?
Bukoshi: Durim, durim ( per aspera ad astra ), se do e kemi vështirë me Serbinë …
Tema: Si po i përjetoni lajmet e fundit në lidhje me raportet e këqija mes Kosovës dhe vendeve perëndimore ?
Bukoshi:Me shumë shqetësim dhe përtej shqetësimit. E pabesueshme, çfarë aksidenti historik: prapakthim i Kosovës nga një çmenduri politike !
Tema: Mos është e ekzagjeruar “ diagnoza” e Juaj për kryeministrin Tuaj ?
Bukoshi: Jo, asnjë fije. Do ishte pakëz tepër, sikur ky njeri të “stolisej” me atribute si : megaloman, rrenc ala Mynhausen, i papërgjegjshëm, sidomos manipulant i tipit të ndonjë çibritaxhiu mashtrues në bulevardin e Frankfurtit.
Tema: Por megjithatë ai ka bërë me vete një pjesë të madhe të shoqërisë së Kosovës?
Bukoshi: Hitleri manipuloi një alamet kombi dhe nuk po u manipuloka një komb i vonuar si ky i joni .
Tema: Si ka mundësi që tani në Kosovë ka mijëra shqiptarë që shajnë e mallkojnë SHBA dhe Evropën ?
Bukoshi: Popujt dhe shoqëritë nuk janë akademi intelektualësh. Njerëzit manipulohen lehtë nëse ke në krye liderë populistë që kanë axhendat e tyre të errëta. Shembull eklatant është Millosheviqi që bëri kërdi në ish-Jugosllavi dhe na përvëloi edhe neve.
Ibrahim Rugova dhe ne që vendosëm ta lidhim Kosovën me Perëndimin, kishim në anën tonë historinë e Evropës që po ndryshonte në atë kohë. Dhe Kosova u bombardua prej nesh dhe asaj klase politike me dashurinë për Perëndimin si shpëtimtar i Kosovës.
Tani po bëhet e kundërta. Po kthehen folklorizmat e shekullit 20 kur Evropa mallkohej për kufijtë shqiptarë, ndërkohë që Evropa sapo na premtoi që do na hiqte kufijtë e saj. Të shpresojmë se këto ethe tona do kalojnë.
Një elitë politike ashtu siç mund ta nxjerrë një popull në dritë nga çrregullimet e brendshme, mund ta zhysë përsëri në errësirë. Shqiptarët kanë dhënë prova qoftë për mirë apo për keq.
Tema : Sikur po flisni sert ?
Bukoshi: Po flas fare pak sert, mendoj Kurti duhet identifikuar si “ politikan i rrezikshëm” për të ardhmen e vendit që duhet neutralizuar. Përndryshe, dëmet për Republikën tonë do ishin të pamatshme.
Po flas si qytetar i Kosovës pa kërkuar leje nga askush. Jetova në tri botë të ndryshme: si qytetar i Kosovës nën Jugosllavi deri në vitin 1989, si politikan që për dhjetë vite luftova për pavarësi dhe më në fund jetova si qytetar i lumtur i Kosovës së lirë pas vitit 1999.
Sot, ndjehem i poshtëruar dhe shpesh më kap një ndjenjë trishtimi, kur shoh mungesën e respektit për historinë e Kosovës. Kush mendon se është ky Albin Kurti që abuzon me Kosovën duke u njehësuar me të ?
Miliona shqiptarë nuk e dinë ende, se si ne e kemi nisur lidhjen me Perëndimin. Vendimi i qindra intelektualëve të Kosovës në vitin 1989 kur u rrëzua Muri i Berlinit, që Kosova ta lidhte të ardhmen e saj me Perëndimin ishte një vizion shpëtimtar. Por nuk mjaftonte.
Ne nuk kishim asnjë mik në Perëndim.
Mërgata jonë në SHBA, Xhim Xhema, Ekrem Bardha, Harry Bajraktari, Jozef Dioguardi, Sami Repishti, Bardhyl Tirana, e dhjetëra shqiptarë të tjerë kanë thyer dyert e administratës amerikane për muaj e muaj të tërë për të na siguruar takime formale, që na gëzonin si fëmijë edhe pse ishin thjeshtë takime njohjeje. Ju kujtoj veçanërisht Bardhyl Tiranën, ish shefi i stafit të Presidentit Karter, pinjoll i një familje të njohur nga Tirana. Ky ishte avokat i fortë dhe burrë zotëri. Qeverisë së Kosovës ai u ofrua të punojë për Kosovën në Uashington. Bëmë kontratë ku ai kërkoi pagesën vjetore prej 1 ( një) dollar !!!
Ndaj dua të bëj apel për mërgatën tonë që e përmenda, që të lobojë edhe këtë herë fuqishëm për Kosovën. Por jo të mbështes marrëzitë e këtyre që duan të bindin SHBA që e ka gabim, por të bindin SHBA që të mos e identifikoj Kosovën me këtë udhëheqje politike.
Askush nuk e di, për shembull, se sa tragjikomike ka qenë historia e dorëzimit të dosjes së Kosovës në Bruksel në dhjetor të vitit 1991 kur Republikat aplikuan për ndarje nga Jugosllavia dhe ne nuk kishim të drejtë as ta dorëzonim dosjen. Një grua shqiptare, që punonte në ndërtesën e Komunitetit Evropian, i ka hyrë disi dhunshëm në zyrë të Hans van der Broek-ut dhe i është përgjëruar duke qarë që sekretaria të presë dikë nga ne, t’i dorëzonim dosjen.
Ne ishim duke dalë nga një burg, ku na kishte mbajtur Serbia dhe ish Jugosllavia dhe ishim dele e zezë e Perëndimit, pasi identifikoheshim si një shoqëri problematike.
Qartësia e politikës së Ibrahim Rugovës dhe vendosmëria e tij për të qenë vetëm me SHBA dhe vetëm me vendet Evropiane, shpëtuan Kosovën. Ai e kishte si fe Perëndimin dhe shoqëria e Kosovës po ashtu ia pranoi atë si njëlloj feje, religjioni.
Tema: Sa serioze e shikoni situatën në Veri dhe a mund të shmangej ajo?
Bukoshi: Situata në Veri është vepër e Serbisë. Pa asnjë mëdyshje. Ky shtet akoma nuk është denazifikuar. Serbët e kanë strategjinë e tyre të krijimit të një vatre tensioni aty me banditë apo forca paramilitare. Detyra e jonë është ti shmangemi përkeqësimit të kësaj vatre tensioni.
Por çfarë kemi bërë ne? Prej vjeshtës së kaluar, qeveria vazhdimisht po eksperimenton me tensione të panevojshme në veri. Në fillim me targat, pastaj me barrikadat, pastaj me zgjedhjet, dhe në fund me konfrontimin për të mbrojtur katër kryetarë komunash me polici. Nëse e shikon në shtrirje kaq të gjatë kohore, ngjan si një axhendë tensioni e cila përfundon gjithnjë me zbythje të Kosovës.
Sa herë është premtuar luftë dhe fitore ka rezultuar tërheqje dhe humbje. Kjo lodhja nga tensionet në veri, ka krijuar një helmim të raporteve me ndërkombëtarët sidomos me SHBA dhe nuk i ka sjellë asgjë të mirë Kosovës. Këto akrobacira të fundit duken si një pikë që po e derdh krejt gotën. Dhe gota nuk derdhet në fytyrën e kryeministrit por mbi trupin e Kosovës.
Tema: Sa e besoni ultimatumin amerikan?
Bukoshi: E besoj qind për qind. Kam provuar vet situata të tilla të vështira, kur na këshillonin dhe urdhëronin edhe për gjëra shumë më pak të rëndësishme se kjo. Edhe ne kemi qenë të padijshëm kur filluam merreshim me politikë. Dhe unë kam tentuar ti jap këshilla Holbrookut pas masakrës në Poklek në Drenicë dhe ngjarje të tjera, por kur kam parë reagimet e tyre e kam kuptuar se është tjetër të shikosh gishtin tënd, e tjetër të shikosh pyllin që ke para.
Mësova kur SHBA dërgon mesazhin diplomatik : „we are concerned“ (jemi të brengosur ) duhet të korigjohesh, por kur thotë „we are deeply concerned“ ( jemi thellësisht të brengosur ) atëherë je në alarm të kuq .
Tema: Çfarë pasoja afatshkurtër shikon?
Bukoshi: Shikoni, një gjë duhet të jetë e qartë. Serbia u detyrua të tërhiqet nga Kosova nën praninë e forcës ndërkombëtare dhe nën premtimin për stabilitet. Nëse Kosova kthehet në vatër krize siç po kthehet, atëherë në veri të Kosovës vepron autoriteti i rezolutës 1244, dhe forcat ndërkombëtare rrezik mund t‘ia heqin nga duart Kosovës Veriun dhe i dalin zot ato forca.
Fakti që trupat e KFOR e kthyen mbrapsht një zyrtar të qeverisë së Kosovës në Veri pas trazirave është një sinjal se atje në Veri tani zot shtëpie janë forcat ndërkombëtare e jo Kosova.
Kështu kalojmë nga një shtet i pavarur që mund ta kontrollonim Veriun përmes veprimeve të mençura, kalojmë në një situatë kur nuk do kemi më të drejta as ta qeverisim e as të shkojmë aty pa leje të KFOR-it. Kjo do ishte goditja më e madhe që shteti i Kosovës do merrte deri më sot.
Nuk më interesojnë sanksionet e tjera. Kaq mjafton për të kuptuar çfarë po humbasim.
Tema: Megjithatë, kryeministri Albin Kurti këmbëngul që SHBA duhet të dënojë Vuçiqin autokrat si autor të kësaj situate.
Bukoshi: Shikoni, SHBA nuk mund të jetë gjithë jetën një dado në dispozicion të Kosovës. Kur Kosova kishte nevojë për SHBA, kur Serbia nuk na linte të ngrinim kokën duke na marrë gjithçka dhe duke filluar të na shfaroste, SHBA u bë me ne. Tani SHBA nuk e ka marrë përsipër që përveç çlirimit të Kosovës të demokratizojë edhe Serbinë. Ndoshta e ka dhe atë objektiv, por nuk besoj se është e gatshme të bombardojë prapë Serbinë pse ka një autokrat në krye. Ai është problem i Serbisë jo më i SHBA. Problem i SHBA ishte kur një diktator shtypte një popull tjetër. Dhe aty na doli zot.
Tema: Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka njoftuar se ka paraqitur një draft rezolute për asociacionin si një nga opsionet dhe kjo ka ngjallur reaksion tek një pjesë e politikës zyrtare në Kosovë. Cili është mendimi juaj?
Bukoshi: Mendimi im është se i pari që duhet të vraponte të paraqiste një draft duhet të ishte kryeministri i Kosovës. Ai duhej të merrte atë iniciativë dhe të mos e linte në dorë të Serbisë por as të ndërkombëtarëve. Dhe ky është problemi real.
Në mungesë të këtij propozimi nga ana jonë do ketë propozime të tjera. Kryeministri i Shqipërisë është i koordinuar publikisht me aleatët perëndimorë në çdo hap të kësaj krize dhe kjo kuptohet edhe nga fakti se ky drafti famoz i kryeministrit Edi Rama, sikur shkaktoi një gjysmë histeri kolektive në Kosovë, u prit mirë aty ku duhet dhe u vlerësua si serioz. Po pyes a mos janë naivë edhe evropianët Scholz dhe Macron, siç “ia futi kot” kryeministri ynë për Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken ?
Nga ana tjetër duke qenë se gjatë kësaj kohe Kosova nuk ka koordinuar as me Shqipërinë për krizën, është e kot ti kërkojmë llogari se çfarë ka paraqitur Shqipëria në atë draft.
Tema: Si e vlerësoni qëndrimin e opozitës në Kosovë?
Bukoshi: Një opozitë e qartë dhe e vendosur do ishte një ndihmë e madhe për situatën. Ajo që shikoj është se opozita po bën llogaritë e saj në këto momente dhe jo llogaritë e Kosovës. Secila palë po dëshiron të fitojë nga dështimi i Albin Kurtit.
Në fakt jemi të gjithë në një anije që po mbytet dhe nëse mbytemi, askush nuk ka për ta gëzuar pushtetin.
Opozita duhet të bëhet bllok për ta ndalur këtë marrëzi pa asnjë kompleks dhe duhet të bëhet garante e Perëndimit në Kosovë.Intelektualët e Kosovës po ashtu. Ku janë akademikët dhe mendjet e lira të Kosovës, që kanë 33 vite që luftojnë që Kosova të jetë pjesë e Perëndimit?
Perëndimi ka mbetur pa aleatë në Kosovë. Ai ka probleme me një qeveri antiperëndimore populiste e cila mendon se do sfidoj SHBA me folklorizma, dhe nga ana tjetër një opozitë e cila ndjehet e dobët para qeverisë dhe shpreson se do fitojë nga gabimet e rënda që po bën qeveria. Nuk fitohet pushteti duke vrapuar me shpresë si dhelpra pas dashit…
Por Qeveria nuk po bën vetëm gabime politike. Qeveria po bën gabime kombëtare. Dhe ato duhen ndalur. Nga ato gabime nuk fiton askush, por humbasim të gjithë.
Perëndimi ka filluar të ketë bezdi nga Kosova . Kosova po kthehet në një shtet që po i bën ata të reflektojnë për çfarë kanë bërë për Kosovën. Mendoni që SHBA është dyfish në hall, pasi i duhet të zhbëj gjëra që i ka bërë vet. Kjo është një tragjedi e madhe që duhet ndalur një minutë e më parë, pasi rrezik po largojmë zemërthyer të vetmit aleatë strategjikë që kemi./Intervistoi: Mero Baze