I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak tha se “tensionet janë ende të larta” mes dy vendeve, teksa tha se ai dhe emisari amerikan Gabriel Escobar kanë “shpresuar për më shumë” rezultate gjatë vizitës së tyre në Beograd e Prishtinë.
Qëllimi i udhëtimit të tyre ishte adresimi i situatës së tensionuar në veri të Kosovës dhe eksplorimi i mundësive për një zgjidhje politike. Përmes një postimi në rrjete sociale, Lajçak tha se ata shprehën shqetësimet e tyre për situatën e krijuar dhe theksuan urgjencën për shtensionim të situatës.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç çtensionimit të menjëhershëm, u kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme në veri, me pjesëmarrjen e serbëve që jetojnë në atë pjesë të Kosovës dhe kthimin e palëve në dialog për normalizimim të raporteve. Këto pika u përsëritën gjatë takimeve të tyre me udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë.
“Pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, ku pata rastin të bisedoj me një numër njerëzish nga Evropa dhe SHBA, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe Shtetet Anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm. Ne vazhdojmë përpjekjet tona për të mundësuar dhe mbështetur një zgjidhje të qëndrueshme politike”, ka shkruar Lajçak.
Një ditë më parë Escobar tha se SHBA-ja është e angazhuar që të ndihmojë si Kosovën ashtu edhe Serbinë, në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Escobar foli edhe për marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër të Maqedonisë së Veriut në muajin mars të këtij viti. Implementimi i kësaj marrëveshjeje sipas Escobar i hapë rrugë një “marrëdhënie paqësore dhe konstruktive” në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të de-përshkallëzuar proceset menjëherë, për të de-përshkallëzuar situatën dhe menjëherë të kthehemi në fokusin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit”, theksoi Escobar.
Sipas tij, për Serbinë kjo do të thoshte dhënie fund bllokimit të integrimit evropian dhe ndërkombëtar të Kosovës dhe për Kosovën kjo do të nënkuptonte fillimin e procesit të zbatimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Duhet të punojmë menjëherë për të dyja gjërat”, tha Escobar.
Dy javët e fundit raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë janë tensionuar sërish pasi në katër komunat veriore janë duke u zhvilluar protesta nga grupe të serbëve lokalë të cilët po kundërshtojnë futjen në objektet komunale të kryetarëve të ri të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.
Tensionet kulumuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.
/a.r