Fatmir Xhafaj, Sekretar për Çështjet e Koordinimit në Partinë Socialiste, deklaroi të dielën se “Komisioni për Reformën Statutore ka përmbyllur punën disamujore për hartimin e statutit të ri të PS-së”.
“Statuti i parë është miratuar në 12 qershor 1991 dhe në 2011 ka ndryshuar për herë të fundit. Kishte disa rrethana që e bënin të domosdoshëm statutin e ri”, tha Xhafaj, i cili theksoi se “reforma administrativo-territoriale, e ideuar dhe realizuar nga mazhoranca, diktonte përshtatjen e partisë me organizimin e ri, për të pasur një parti më dinamike”.
“Statuti i ri është reflektim në përvojat e krijuara në vite dhe nga gabimet e bëra. Funksionimi i partisë kishte nxjerrë në pah nevojën e rregullimeve më të qarta në disa aspekte”, shtoi Xhafaj.
Sipas tij, statuti i ri, sipas modelit të Partisë Laburiste, do të sjellë përmirësime në organizimin dhe financimin e Partisë Socialiste.