Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka dënuar incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Lulzim Bashës në mbledhjen e Kryesisë së PD që u mbajt në mbrëmjen e së martës dhe në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.
Bardhi, në reagimin zyrtar, thotë se dhuna verbale dhe presionet ndaj deputetëve të PD-së nuk janë mjete politike dhe kushdo duhet të distancohet nga këto akte.
“Dhuna verbale, presioni dhe shantazhi kundër deputetëve të PD që mendojnë ndryshe nuk janë mjete politike. Kjo sjellje prej grupimi paramilitar hedh në erë bashkëjetesën brenda kësaj force politike dhe dërrmon në mënyrë përfundimtare besimin e qytetarëve tek PD. Duke dënuar me forcë aktet e dhunës kundër deputetëve të PD, anëtarëve të Kryesisë dhe gazetarëve, u kërkoj secilit kolegë të distancohen publikisht prej tyre. Përmes dhunës, presionit dhe shantazhit nuk ndërtohet asgjë afatgjatë, në interes të demokratëve dhe të Shqipërisë”, thuhet në reagimin e Gazment Bardhit.
Në mbledhje u vendos që zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së të mbahen më 29 Korrik.
Në mbledhje u shënuan dhe incidente pasi në ambientet ku zhvillohej mbledhja erdhën disa nga mbështetësit e Lulzim Bashës. Ata kanë fyer anëtarët e kryesisë dhe deputetët të cilët nuk ishin dakord që zgjdhjet për kryetarin e ri të zhvilloheshin në muajin Korrik.
/a.r