Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Kamzën Arjan Hoxha ka dalë sot me mbështetësit e tij në protestë para KQZ-së.
Në deklaratë për mediat, Hoxha u shpreh me bindje se votat në Kamëz më 14 Maj janë zgjedhur në mënyrë masive. E për këtë ai tha se nuk do heqë dorë derisa të bëhet verifikimi i fletave të votimit dhe të kryhet ekspertiza e plotë e procesit zgjedhor.
“Së pari dua t’ju falënderoj për praninë tuaj që media të dëgjojë zërin e revoltës së qytetarëve, të cilët me 14 Maj kanë qenë pjesë e një masakre zgjedhore e parafabrikuar me anë të makinerive ku nuk janë lexuar të dhënat e qytetarëve. Sot po të shkosh në Kamëz është një gjendje dramatike, e padurueshme në aspektin social. Ne po ngremë zërin sepse kjo nuk i shërben vetëm Kamzës, por gjithë Shqipërisë. Nuk ka ndodhur që në të gjitha qendrat e votimit kandidati të dalë humbës, është fiks formula me përqindje të paracaktuara, po t’i lexoni votat dhe t’i pjesëtoni me 33% janë rezultatet tona.
Si ka mundësi, ça ndodhi në Kamëz?! Kjo vetëm formulë e paracaktuar, të gjithë qytetarët që me datë 14 e ndjejnë vetën të tradhtuar dhe sot nuk ndihen të përfaqësuar, do shterrojmë çdo rrugë institucionale, nuk i heq asnjë pikë e presje intimidimit nga administrata që kanë futur duart në taksat e Kamzës për 4 vite, përpara gjatë ditës së zgjedhjeve ka pasur presione në çdo formë të mundshme.”
I pyetur se a zotëron fakte për këto pretendime, Hoxha tha se do i dorëzojë KQZ-së filmime dhe biseda.
“Kemi pamje filmike, shkëmbime në komunikim mes individëve të pavarur nga ana jonë, të cilët thonë votova 3-in dhe më doli 1-shi. Kishte 20 patronazhista brenda një qendre votimi, ishin fleta të kontrolluara, shumë vota janë klikuar nga operatorët. 50% janë votuar me shoqërim, që e kanë bërë ata jashtë. Edhe unë si kandidat nuk jam lejuar të afrohem në asnjë qendër votimi. Sipas perceptimeve të Kodit Zgjedhor votuesi e zgjedh vetë kë të votojë, jo patronazhisti. Administrimi i pajisjeve ka qenë në dorën e patronazhistëve, ka pamje që do i dorëzoj që sot në KQZ që të hapen. Unë mbaj përgjegjësi publike dhe politike për këto që them.”
Ai tha se kutitë e votimit duhen hapur dhe të bëhet një transparencë e plotë, pasi sipas tij votimi elektronik ishte e vetmja mënyrë për të manipuluar vullnetin e lirë të qytetarëve të Kamzës.
“Do kërkoj ballafaqim, absolutisht! Të regjistrit elektronik me fletët fizikE, ekspertim nga ekspertë të huaj, listat në qendrat e votimit. Të paktën në Kamëz, PD do kishte vota më tepër. T’i vendosë fletët e votimit në mënyrë tradicionale dhe në rast se qytetarët i japin votën, unë i shtrëngoj dorën. Ky nuk është votim, por makineri kriminale. Kamza është e vjedhur sot në mënyrë masive. Shkoni në Kamëz, i keni a thua se ka ndodhur një fatkeqësi natyrore, por ka ardhur nga dora kriminale e Edi Ramës. Nuk e di se si e kanë bërë, kjo ishte rezultat i paracaktuar. Kryeministri i rrahte shpatullat për votimin elektronik, kjo ishte mënyra e vetme për ta marrë. Makineri e krimit zgjedhor, u bëj thirrje të vendosen në sekuestro, është skenë krimi aty në KZAZ, në gjendjen që janë.”
Kujtojmë se kandidati i mazhorancës Rakip Suli doli fitues në rezultatet zgjedhore me 60.5% të votave. Rezultati u shpall nga numërimi në 111 Qendra Votimi.
/a.r