Numërimi i votave në Bashkinë e Puctecit po shkon drejt fundit, ndërsa edhe pse ka ngelur edhe një kuti, kandidati i PS Pali Kolefski ka shpallur fitoren, pasi është gati 500 vota para, kundërshtarit të tij Pandi Jani i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ndërsa në kutinë e mbetur ka rreth 300 vota.
Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Niko Peleshi është shprehur se kjo është fitorja e parë nga 6 bashkitë që do të fitohen në Korçë.
“Këtu jemi në Pustec. Fitorja e parë nga 6 bashkitë që do të fitohen në Korçë. Fitore e bukur, sepse ne kemi një djalë të shkëlqyer që fiton mandatin e dytë. Ka ngelur vetëm një kuti, por rezultati është i mbyllur pasi ne jemi 500 vota para, ndërs kutia që ka mbetur ka rreth 300 vota.
Ne fitojmë mandatin e dytë. Mandat i ri, kemi projekte shumë të mëdha që po presim t’i zbatojmë. Do të jetë ndryshim i lojës, do të jetë transformim i punëve në këtë bashki sa të vogël aq edhe e mrekullueshme” tha Peleshi.
Më parë PS konfirmoi fitoren ne Vorë, Kamëz e Elbasan pas numërimit elektronik.
/a.r