Rrethuar me mure dhe pemë të dendura, është vila dykatëshe në fshatin Nivicë të Himarës që dyshohet se shërbeu si bazë e fshehtë për autorët që supozohet se rrëmbyen Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit. Report Tv sjell pamje ekskluzive të vilës, e cila qëndron e mbyllur prej disa javësh. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në rrugë për të mbërritur në gjurmët e makinës së rrëmbyesve, Mercedes Benz G Class, e cila u gjet pikërisht në këtë vilë, buzë rrugës nacionale Himarë-Sarandë.
Pronari i saj, është emigrant në Greqi ndaj e kishte lënë vilën me qira, përmes një agjencie imobilare. Punonjësi i agjencisë, Sofokli Baxheri është i vetmi i arrestuar deri më tani, pasi Prokuroria e Sarandës e akuzon për “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “deklaratat e rreme përpapa oficerit të policisë”. Burimet thanë se me pronarin ka ndërmjetësuar përmes telefonit Sofokli Baxheri dhe palët janë dakordësuar për çmimin 500 euro/muaj.
Sapo kanë marrë vilën, sipas informacioneve të policisë, banorët e rinj janë kujdesur të vendosin një rrjetë para portës me qëllim që askush mos të shihte se çfarë ndodhtë brenda saj. Agjenti imobiliar nuk ka treguar emrat e qiramarrësve, ndaj gjykata e ka lënë në arrest me burg pa afat. Po sipas burimeve policore, në këtë vilë hynin e dilnin makina luksoze si “Mercedes-Benz” G Class ngjyrë e zezë, furgon tip “Ford” ngjyrë e bardhë, fuoristradë “Peugeot”.
Prej 6 prillit, kur u zhdukën në Sarandë, policia dhe prokuroria nuk kanë arritur të gjejnë trupat e dy 46-vjecarëve që dyshohet se u vranë e groposën në zonën e Vrinës në Konispol, ku janë kryer disa herë kontrolle. Makina “G Class” e gjetur në këtë vilë është prova kryesore e hetuesve, por ende e pamjaftueshme për të çuar në identifikimin e autorëve të krimit të rëndë.
Pistat e hetimit për dy të zhdukurit
Paraprakisht mendohet se dy të zhdukurit i kanë njohur rrëmbyesit, pasi në disa pamje filmike të lëvizjes së mjetit te tyre, dallohet Fatmir Sulovari teksa ndodhet i ulur në sediljen e parë duke mbajtur dorën në tavan. Familjarët dyshojnë mund t’i kenë rrëmbyer persona me të cilët kishte konflikte për një pronë që së fundmi e kishte shitur. Policia e Sarandës ka kryer disa kontrolle banesash, përfshirë edhe zyrtarëve apo ish-zyrtarë. Kontrollet janë kryer për çështje tokash por nuk dihet nëse është një procedim i veçuar apo hetimi për zhdukjen e dy 46 vjeçarëve ka nxjerrë në skenë ngjarje të tjera në Sarandë. Dyshimet janë se dy 46-vjeçarët janë ekzekutuar dhe janë groposur.
Kush janë të zhdukurit?
1. Leonard Thodhori, 46 vjec i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallëzim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i përfshire në trafik lëndësh narkotike.
2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 ne Lushnje, pasi ne mjetin e tij “BMË” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.
/s.f