Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka mbajtur takimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të PS-së në Durrës. Ai e konsideroi këtë takim si më të jashtëzakonshmin që ka pasur ndonjëherë në këtë qytet.
“Në kujtesën time ku është takimi më i madh më i jashtëzakonshëm që kam pasur këtu. Patën edhe debate me drejtuesit e partisë kur u thashë se kjo maratonë fundin e saj do e ketë në Durrës. Dhe e merrni me mend se sa kanë kërkuar që të bëhet në vende të tjera, duke menduar se do ketë më shumë njerëz se në Durrës. Se të gjithë mendojnë se durrsakët nuk janë të takimeve të mëdha. Mirëpo jam i bindur se të gjithë ata që po ndjekin këtë takim, nuk po e besojnë dot që po ndodh në Durrës. Jam shumë mirënjohës për këtë gjë, është privilegj që jam deputet i Durrësit, por është privilegj të jem pjesë e historisë së PS-së këtu në Durrës”- u shpreh Rama.
Ai falenderoi mbështetësit e Partisë Socialiste, duke nisur nga këshilltarët bashkiakë deri tek zgjedhësit dhe më pas tek kandidatja Emiriana Sako. Mes të tjerash ai tha se Durrësi do jetë lokomotiva e zhvillimit ekonomik e të gjithë Shqipërisë.
“Dua t’u bëj një përshëndetje anëtarëve të Këshillit Bashkiak, drejtuesit të PS-së n Durrës. U bëj një përshëndetje patronazhistëve te frikshëm të Durrësit. Të gjithë zgjedhësve të PS-së në Durrës. Dua t’i bëj një përshëndetje kryetares së bashkisë që ka cilësinë e paparë që t’i fshehë emocionet më shumë se çdokush tjetër që unë kam parë në jetën politike. Jam i bindur se Durrësi është lokomotiva e zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Është kthyer në qendrën e gravitetit të një hapi tjetër, të një momenti tjetër të historisë së zhvillimit ekonomik. MPas shumë përpjekjesh është vendosur baza, kështu me portin e ri turistik, me atë tregtar, me hekurudhën e re, Durrësi do të rikthehet se s’bën në atë që ka qenë, në portën kryesore të Adriatikut” – u shpreh kryeministri.
/s.f