Prokuroria e Shkodrës ka vendosur të mbyllë hetimet dhe dërgojë dosjen penale kundër Ibrahim Licit, duke e akuzuar këtë të fundit si person të dyshuar në vrasjen e Endri Mustafës dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Dosja penale tashmë është dërguar në gjykatën e Shkodrës, por për shkak të mos arrestimit të Licit, gjykata ka urdhëruar pezullimin e gjykimit për një periudhë 1 vjeçare.
Prej muajit Maj 2021, Lici rezulton të jetë shpallur në kërkim nga policia, si i autor i dyshuar i vrasjes së Mustafës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën “Livadhe” në Shkodër.
Prokurorët e Shkodrës, kanë ngritur akuzën ndaj tij, duke u bazuar në dëshminë e parë që 15 vjeçari, Ergys Malja, ka dhënë në polici.
Fillimisht Malja, ka treguar se ishte ai që kishte nxjerrë nga shtëpia Endri Mustafën dhe së bashku ishin drejtuar në zonën e quajtur “Gropat e Eskavatorit”.
Po sipas tij, papritur i ka dalë në rrugë, Ibrahim Lici me një motor, i cili e ka qëlluar me pistoletë, Endri Mustafën, duke e lënë të vdekur në vend. Këtë dëshmi Malja e ka dhënë fillimisht në Polici dhe më pas u tërhoq duke pohuar se kishte gënjyer.
Vetëm një javë pas krimit të rëndë, policia arrestoi Ergys Maljan si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Fillimisht Malja, u dënua me 24 vite burgim nga gjykata e Shkodrës, por për shkak të moshës së mitur, dënimi i tij u reduktuar, duke u dënuar përfundimisht me 12 vjet heqje lirie.
Tashmë radha për tu ballafaquar me provat dhe faktet e prokurorisë, është e të pandehurit tjetër, Ibrahim Lici.
Por nga ana tjetër, vetë nëna dhe gruaja e Endri Mustafës, e kanë përjashtuar në mënyrë kategorike, implikimin e Ibrahim Licit në vrasjen e djalit të tyre.
Në dëshminë që ka dhënë përpara gjykatës së Shkodrës Fahrije Mustafa, nëna e Endri Mustafës, tregon se djalin e saj e ka vrarë Edison Arazi që në Shkodër njihet me nofkën “Coli”.