Ministrja e Shtetit për marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë në samitin e Alternativës Shqiptare në Mal të Zi, një pol politik i ri i formuar në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.
Mali i Zi pasi zgjodhi presidentin e ri, voton për Parlamentin e ri më 11 qershor, ku po shikohen zhvillime interesante.
Spiropali që është edhe kreu politik i qarkut Shkodër, ka marrë pjesë në takimin e Tuzit, ku përveç Forumit Shqiptar, që është një koalicion i madh kuqezi që fitoi në mars komunën për të dytën herë, ishte edhe Dritan Abazoviç. i cili ka lidhur aleancë me disa nga partitë politike shqiptare.
Spiropali, në rrjetet sociale shkruan : “Në ceremoninë solemne të kuvendit të Katërt të Alternativës Shqiptare që u zhvillua sot në Tuz, Mal të Zi.
E urova Nik Gjeloshajn, kryetarin e partisë Alternativa Shqiptare që udhëheq koalicionin Forumi Shqiptar, për rezultatin në zgjedhjet e fundit dhe zgjedhjen e tij për të dytën herë radhazi kryetar i Malësisë së Tuzit.
Një fitore e merituar falë vizionit, përkushtimit dhe bashkimit të faktorit shqiptar, për zhvillimin e Malësisë për të gjithë pa dallim.
Të bashkuar jemi më të sigurtë dhe më të aftë për të parë në sy sfidat e komplikuara që na vë përpara koha, me sytë drejt bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian.
Kënaqësi takimi dhe biseda me Kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviçin, që është kthyer në një pikë referimi dhe bashkëpunimi për të gjithë faktorët progresistë në Mal të Zi”./m.j