Dy prokurorë britanikë kanë mbërritur në Shqipëri së fundmi për tu njohur me dosjen hetimore të vrasjes së Ardian Nikulajt më 19 prill, me provat që implikojnë personat e vënë nën akuzë të cilët janë ndaluar nga policia britanike. Sipas burimeve hetuesit anglez po zhvillojnë takime me drejtues te prokurorisë se Lezhës dhe grupin hetimor ne lidhje me këtë çështje. Autoritetet angleze kërkojnë që të njihen me provat për të vendosur me pak rreth ekstradimit te personave te arrestuar në Angli me kërkesë të prokurorisë së Lezhës.
Katër persona që u shpallën në kërkim në Shqipëri u kapën dhe u arrestuan në Britani. Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, të dy nga Bristol, dhe Edmond Haxhia, 37 vjeç, nga Birmingham, u shfaqën në Gjykatën e Westminster të shtunën për procedurat e ekstradimit. Edhe 27-vjeçarja Harriet Bridgeman nga Bristol u shfaq në të njëjtën gjykatë të hënën, shkruan BBC. Ata u lanë në burg dhe pritet të dalin sërish para gjykatës këtë të premte.
Rolet i të akuzuarve në vrasje
Edmond Haxhia ishte porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi, Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit, personi i shfaqur me motor dhe jelek fosforeshent i cili qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, e ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit. I pari mbërriti më 14 shkurt, portugezi Saravia, që në zonën e Lezhës u shfaq si turist. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë nën kamuflimin e turistëve, por kanë mbledhur informacione mbi lëvizjet e Nikulajt. Një prej tyre Stiven Hunt ka qëndruar për disa ditë edhe në hotelin “Coral” në pronësi të Nikulajt, siç është edhe një moment i fiksuar në kamera, kur hyn natën në hotel dhe gjen rojën në gjumë. Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e biznesmenit.
Historia e hasmërisë mes 2 fiseve që nisi për 1000 lekë
Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulaj, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Pas kësaj vrasje në Lezhë janë ekzekutuar në një atentat dy anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj). Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia. Mendohet se vrasja e Nikulajt ka ardhur pikërisht në vazhdën e këtyre krimeve për gjakmarrjeje.
/s.f