Kryeministri Edi Rama ka qenë ditën e sotme në qytetin e Korçës, nga foli dhe për transformimin e këtij qyteti. Rama e krahason Korçën me një grua, e cila sipas tij ishte lënë më parë në harresë, ndërsa me punën e bërë, i është rikthyer ‘nuri’. Nga ky qytet, kryeministri Edi Rama, vë theksin te investimet për të rinjtë, ku thotë se nuk do të mungojnë, sikurse projekti i Piramidës. Madje, kryeministri premton për një stadium të ri në Korçë, që të shërbejë dhe si një vend argëtimi, përpos funksionalitetit të ndeshjeve.
Edi Rama: Korça ishte si një grua e bukur e lënë rrugëve, komplet e pakrehur, e rreckosur dhe krejtësisht e padukshme në hiret e veta. Sot Korça është një zonjë, patjetër që sot Korça është një zonjë që duhet të kthehet për të gjithë si nëna e Sotiraqit, të kujdeset që të ketë të ardhme. Po punojmë me projekte, që të rinjtë e Korçës janë të parët që po i prekin. Piramida në Tiranë, qendër teknologjike e Ballkanit, nuk do të ishte bërë pa investimet këtu. Emrat ku do i bëjmë i gjen Sotiraqi, projektet i bëjmë bashkë, lekët i sjellë qeveria.
Sot do shkoj të fle te ish-materniteti, nuk kam probleme gjinekologjike, po është kthyer në qendrën e mikpritjes, e projektuar nga bashkia e Korçës me fondin shqiptar të zhvillimit, që do ketë infrastrukturë për start-upet e të rinjve. Nesër në mëngjes do e fillojmë ditën me konkursin për stadiumin e ri të Korçës. Në Korçë duhet të shkojnë dhe gratë në stadium, po jo në këtë stadium ku të vjen të bërtasësh nga halli, do bëjmë një të atillë, ku përveç ndeshjeve të ketë dhe argëtim./m.j