Kryebashkiakja aktuale e bashkisë së Durrësit që rikandidon sërish në zgjedhjet e 14 majit, Emiriana Sako shpreh krenari për nënshkrimin e marreveshjes me Manchester City për të ngritur një Akademi dhe Shkollë futbolli në qytetin bregdetar.
Në një intervistë për Report Tv në emisionin ‘N’Kohë’ me gazetarin Ermal Qori, Sako zbuloi se do të ketë trajnerë që do të vijnë nga Manchester City për të stërvitur fëmijët në Durrës.
“Jemi krenar që arritëm të finalizojmë një marrëveshje të rëndësishme për Durrësin. Do të shërbej jo vetëm për fëmijët e Durrësit, gjithë Shqipërisë por edhe jashtë territoreve tona. Kjo marrëveshje konsiston në ndërtimin e një shkolle futbolli dhe akademie elitare, ku do të trajnohen fëmijë nga grupmosha 5 deri në 18 vjec. Do të jetë me disa faza, pas shkollës do punohet për konceptin e Akademisë sepse do të kemi trajnerë të Manchester City, të cilët do të vijnë në Durrës për të trajnuar fëmijët”, tha Sako.
E pyetur për mundësinë e ardhjes të një trajneri me famë ndërkombëtare si Pep Guardiola, Sako qeshi por nuk zbuloi emrat që do të kemi në Shqipëri. Ndërkohë pohoi mundësinë e përfshirjes së talenteve të reja në skuadrat e famshme ndërkombëtare pasi të monitorohen nga akademia.
“Zhvilluam takim me presidentin e Manchester-it dhe drejtuesin ekzekutiv, janë emra shumë të rëndësishëm që kanë punuar jo vetëm në Britani, pasi këto shkolla janë ngritur në shumë vende të botës duke bërë të mundur pikasjen e talenteve të reja. Do të ketë monitorim të vazhdueshëm dhe përgatitje nga këta trajnerë të Manchesterit, shkolla do të jetë për të gjitha nivelet, ndërsa akademia do të jetë për përzgjedhjen dhe futjen atje më të talentuarve”, tha Sako.
Sa i përket marrjes jetë në praktikë, Sako zbuloi se po punojnë me hartimin e planit.
“Kemi dy site ku do të zhvillohet projekti, do të shohim ku do të jetë më e nevojshme, njëra mundësi është te lagjia e re e rindërtimit, ndërsa zona tjetër është afër universitetit Aleksandër Moisiut në Durrës”, tha Sako.
Kryebashkiakja e Durrësit u shpreh se kjo marrëveshje aspak me fushatën zgjedhore, por e cilëson projekt të rëndësishëm.
“Politika ka në dorë të transformojë jetët e njerëzve dhe s’ka gjë të keqe nëse ia pranojmë politikës këtë meritë”, tha Sako./m.j