Familja e Fatmir Haklajt është akuzuar si një nga përgjegjëset për ngjarjet e ’97-ës në Tropojë. Haklaj, një farmacist në profesion, ka qenë shefi i komisariatit të Policisë së Tropojës gjatë periudhës së trazirave të vitit 1997, por dha dorëheqjen nga ky post menjëherë pasi iu vra i vëllai Shkëlqim Haklaj, ndihmësgjyqtar në rrethin e Skraparit.
“Do vras 50 persona për të marrë hakun e tim vëllai,”- deklaronte në atë kohë Fatmir Haklaj. Anëtarët e familjes Haklaj u shuan njëri pas tjetrit, teksa burrat e familjes vdiqën duke kërkuar drejtësi. Më 5 janar 1998, vritet në Qafën e Luzhës, me armë zjarri Shkëlqim Haklaj, një tjetër djalë i kësaj familjeje.
Në 4 gusht 1999, vriten në afërsi të fshatit Cërnicë, me mina të telekomanduara Halil Haklaj e Feriz Kërnaja dhe plagoset rëndë Fatmir Haklaj. 3 muaj më pas, vritet edhe Fatmir Haklaj. Ai është vrarë më 4 nëntor të vitit 1999, në një pritë në fshatin Bujan, vetëm 50 metra larg shtëpisë së mikut të tij, Jaho Salihi. E sakaq, më 3 dhjetor 2000, është kryer ekzekutimi me snajper, i djalit tjetër Ylli Haklaj.
Vrasja e fundit e djemve të familjes “Haklaj” u realizua më 8 maj të vitit 2002, pranë spitalit të Bajram Currit, ku mbetën të vrarë Elez Haklaj dhe i djali i tij, Çelë Haklaj. Të vetmit meshkuj që kanë mbetur gjallë nga “kulla” e Haklajve janë plaku Muharrem Haklaj dhe djali i madh, Hamdi Haklaj, të cilët mbetën gjallë pasi u arratisën jashtë Shqipërisë. Ndërkohë që lanë pas kullën dhe varret e shkatërruara të djemve. Ndërkohë që ka mbetur gjallë dhe një nip i Haklajve, Sokol Haklaj, një ish-komando shqiptar që jeton në Gjermani.
Ndërsa e vetmja grua që ngriti armën nga ky fis është Zylfije Haklaj, e cila vrau dy persona për të marrë hakun e vëllezërve të saj. Ajo ekzekutoi në mes të Tropojës Rasim Lumneshin e Ilir Gosturanin, ndërsa sot ndodhet në azil në Suedi. Armiq të sistemit të drejtuar nga Berisha, Haklajt, akuzohen prej ish-kryeministrit si rebelët që sollën trazirat në Tropojë.
Ndërkohë që Zylfije Haklaj ka një tjetër version për ngjarjet e asaj kohe dhe ka kërkuar madje edhe një ballafaqim televiziv me Sali Berishën. Ndërkohë në korrik të 2021-shit, Aishe Haklaj e padit ish-kryeministrin Sali Berisha në SPAK pasi e akuzon për vrasjen e 4 vëllezërve të saj./m.j