Mazhoranca ende nuk ka arritur në një përfundim se cila do të jetë struktura parlamentare që do të shqyrtojë dhe më pas miratojë draftin e qeverisë për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Lajmi bëhet i ditur nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëherësh dhe kryetar i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj, i cili deklaron se do të jetë mbledhja e krerëve të grupeve dhe komisioneve parlamentare ajo që do të vendosë se cili do të jetë komisioni përgjegjës për shqyrtimin e propozimit të Ministrisë së Brendshme për ngritjen e kësaj strukture të posaçme që do të hetojë korrupsionin në nivelet më të larta të administratës shtetërore. Në një intervistë që ai dha për “Ora News”, Xhafaj shpjegon dhe fatin e draftit të Byrosë Kombëtare të Hetimit që është prej më shumë se dy javësh në Kuvend për shqyrtim dhe miratim në një kohë kur priten në fundjavë të mbërrijnë rekomandimet e Komisionit të Venecias për krejt paketën e reformës në drejtësi. Xhafaj thotë se fillimisht do të vendoset se ku do të shqyrtohet drafti i qeverisë për Byronë në komisionin e posaçëm të reformës apo do të ndjekë rrugën e zakonshme të projektligjeve të tjera në Komisionin e Ligjeve. “Është Konferenca e Kryetarëve që do të vendosë që ky projektligj do të jetë pjesë e punës së Komisionit të Ligjeve apo Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi”,- tha dje Xhafaj.
Rekomandimet e Venecias
Duke vijuar më tej, deputeti socialist qartëson vendimin e mazhorancës se rekomandimet e Venecias mund ta ndryshojnë draftin në fjalë, pasi ajo do të diskutohet nën optikën e ndryshimeve penale të paketës së reformës në drejtësi. “Ligjet që miratojmë nga Parlamenti nuk kanë parasysh dëshirat e partive politike, por i nënshtrohen Kushtetutës dhe përputhshmërisë me legjislacionin. Çështja nuk është si e do PD, mazhoranca apo opozita, por si bëhet mirë hetimi penal dhe në tërësi qëllimeve për të cilat është ideuar kjo strukturë. Në këtë kontekst është me rëndësi të shohim përputhshmërinë e saj me kuadrin aktual kushtetues dhe me ndryshimet e reja të Kushtetutës dhe në mënyrë të veçantë, zgjidhjeve të reja që do afrojë Kushtetuta me hetimin penal në tërësi dhe në mënyrë të veçantë me një strukturë të posaçme të hetimit penal, siç është struktura e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në sistemin e ndjekjes penale. Byroja e Hetimit nuk është një projekt i ekspertëve ndërkombëtarë. Duhet të jemi të qartë. Nga pikëpamja e autorësisë së idesë ka qenë e qeverisë. Ministria e Brendshme bëri reflektimet e duhura rreth projektit të mëparshëm duke e përputhur me detyrat që la Gjykata Kushtetuese. Mbetet detyrë e komisionit të posaçëm për ta përputhur këtë projekt të ekspertëve të këtij komisioni me zgjidhjet e reja kushtetuese. Më duhet të them se ekspertët e Ministrisë së Brendshme kanë bërë një punë shumë të mirë. Ata janë autorë të këtij drafti por të asistuar nga ekspertët e OPDAT që kanë qenë pjesë aktive e këtij procesi, duke dhënë dhe dakordësinë. Duhet mbajtur në konsideratë që është shumë e rëndësishme që kjo strukturë të përputhet me Kodin e Procedurës Penale, i cili është duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë me ekspertët ndërkombëtarë. Do të duhej të kishte ardhur, shpresoj të vijë shumë shpejt e të bëhet pjesë e këtij procesi që ka të bëjë me reformimin e procedurës penale”- sqaroi Xhafaj.
Reforma në drejtësi
Ndërsa lidhur me afatin e deklaruar nga vetë kreu i mazhorancës Edi Rama. se në mars do të përmbyllet reforma në drejtësi, kreu i komisionit të posaçëm parlamentar sqaroi se Kryeministri nuk është personi që përcakton afate për reforma. “Kryeministri nuk cakton afate, nuk vë datë, por shprehu vullnetin për miratimin e reformës brenda muajit mars, do të mbetet të shikohet në praktikë”- deklaroi deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj.
Axhenda e Kuvendit
Drafti i qeverisë, sipas procedurave normale
Projektligji i Ministrisë së Punëve të Brendshme për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, prej pak ditësh është përfshirë në axhendën e punimeve parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, dhe do të jetë Konferenca e Kryetarëve organi që do të vendosë se cili nga komisionet parlamentare do ta marrë nën shqyrtim këtë draft. Nga ana e saj, mazhoranca kërkon respektimin e procedurave normale parlamentare për miratimin e Byrosë Kombëtarë të Hetimit. Gjatë debatit në Konferencën e Kryetarëve të 4 shkurtit, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafaj, tha se drafti duhet të kalojë në përputhje me procedurat parlamentare. Ky qëndrim i shprehur nga Xhafaj bie ndesh me kërkesën e Partisë Demokratike, e cila kërkon ngritjen e Byrosë së Hetimit me procedurë të përshpejtuar. Sipas tij, ligji për Byronë ekziston, por ai duhet të kalojë sipas procedurave normale parlamentare. Çështja e ekzistencës së një projektligji konsensual do të kthehej në një debat mes mazhorancës dhe opozitës, ku palët fajësuan njëra-tjetrën për shkeljen e marrëveshjes së negociuar nga partnerët ndërkombëtarë që po asistojnë në ngritjen e kësaj strukture të posaçme që do të hetojë zyrtarët e lartë në vend.
Shqip