Një qytet i përshtatshëm për të pritur fluksin e turistëve në 10 vitet e ardhshme. Është ky objektivi i kandidatit socialist për bashkinë e Beratit Ervin Demo, sipas të cilit në vitet e drejtimit të tij qyteti ka rritur numrin e turistëve. Në studion e Debatit në A2 CNN ai foli për investimet, arritjet dhe sfidat e këtij qyteti, teksa shton se Berati do të jetë alternativa e të rinjve për të ndërtuar jetën e tyre.
“Ne e kemi shumë të qartë vizionin për qytetin. Berati kërkon një qytet që ka infrastrukturën e duhur. Ne duhet të ndërtojmë një qytet të përshtatshme për të pritur fluksin e turistëve në 10 vitet e ardhshme. Ura e Bilcës është një urë e re mbi Osum e financuar nga grantet e BE, duhet të krijojë disa sheshe të reja. Në 5 vitet e ardhshme do t’i afrohet 1 milion fluksi i turistëve. Zhvillimi i njësive administrative. Mund të flasim për Roshnikun e Sinjën. Objektivi ynë është që ta zgjasim sa më shumë të mundemi kohë qëndrimin e vizitorëve. Qafë Dardha do të jetë gur i çmuar në këtë aureolë. Të rinjtë ta kenë Beratin alternativë të parë për të ndërtuar jetën e tyre”.
Sfidë kryesore, Demo rendit sigurinë publike dhe shërbimet e domosdoshme për turistët, ndërkohë që po shtohen strukturat akomoduese.
“Ne sot kemi mundësi të krijojmë nukle që të jenë të përqendruara në çdo njësi administrative për të qenë me shërbime sa më pranë qytetarit. Duhet të rikonceptojmë menaxhimin e siteve turistike në qytet. Një ndër sfidat kryesore është edhe siguria publike dhe shërbime të tjera të domosdoshme të turistëve dhe kjo kërkon një rishikim. Nëse ne i referohemi kredive të bankave të nivelit të dytë, mbi 65 % merren për sektorin e turizmit. Mbi 30 hotele po ndërtohen e dhjetëra të tjerë do të ndërtohen”.
Për rivalin në garë, Zija Ismaili, Demo nuk bëri asnjë koment, por theksoi se komunikimin e ka me qytetarët dhe punën e bërë në 4 vjet.
“Nuk kam asnjë koment nuk dua të merrem me kandidatin në garë. Ne komunikimin e kemi me qytetarët, me atë që është barra jonë dhe duhet të tregojmë ç’kemi bërë në 4 vjet dhe që kemi pasur vizionin, dëshirën për të bërë gjëra në qytet”.
Investimet, infrastruktura rrugore, zerimi i borxheve dhe furnizimi me ujë të të pijshëm, janë bilanci i arritjeve të tij në këtë 4-vjeçar me të cilin kërkon sërish të marrë votën e beratasve.
“Berati ka ende probleme të pafundme, por është e vërtetë që lista e problemeve që trashëguam sot është më e shkurtër. By passi i madh e i vogël, parkimi qendror, rinovimi i lagjeve muzeale, si ajo e Goricës, Mangalem, rruga e Kalasë dhe problemet strukturore në qytet. Kishim problem me ujin e pijshëm, kishte mesatarisht 8 orë ujë në ditë apo disa lagje me 2-3 orë, probleme me kanalizimet. Berati ka 24 orë ujë furnizim. Në 2022 i gjithë qyteti ka qenë i furnizuar me ujë të pijshëm, edhe në fshatin Lapardha, i njëjti problem me menaxhimin e mbetjeve urbane. Ajo që dua të nënvizoj është Porti i Pashait që ka qene një vrimë e zezë dhe perde e hekurt për Mangalemin dhe e kemi transformuar në pikënisjen e turistëve në qytet. Ne trashëguam 3.2 mln euro borxh. Ne kemi konsoliduar buxhetin, sot bashkia ka zero borxhe. Investime nga qeveria dhe agjencitë e donatorët në vend. Delegacioni i Be liston Beratin numrin një në projekte dhe investime”.
Premtimi i tij është rikthimi i shpresës në qytet dhe transformimi për të qenë një alternativë edhe për ata që janë larguar për të jetuar e zhvilluar sipërmarrje.
“Unë nuk kam dalë të bëj premtime. Ajo që u kërkoj njerëzve është të shohin 3 vite më parë çka ndodhur realisht në Berat. Askush nuk mund të mohojë që ajo që ka ndodhur në Berat është e pakrahasueshme me çdo gjë që ka përjetuar qyteti në 30 vjet”.
/a.r