INSTAT publikoi të martën anketën e ndërmarrjeve. Sipas të dhënave të publikuara, numri i ndërmarrjeve ekonomike aktive për vitin 2014 ishte 85.206 duke u rritur me 0,5 % krahasuar me vitin 2013.
Sipas aktivitetit ekonomik, ndërmarrjet që operojnë në sektorin e tregtisë, zënë 42,7 %, ndërsa sipas madhësisë, ndërmarrjet me 1- 4 të punësuar mbizotërojnë me 88,8 % ku prodhuesit e shërbimeve zënë 79,1 %
Në vitin 2014, numri i të punësuarve gjithsej është rritur me 26.359 të punësuar ose 7,7 % krahasuar me 2013. Prodhuesit e shërbimeve kanë kontribuar me 5,4 %, ndërkaq prodhuesit e të mirave kanë kontribuar me 2,3 %. Shitjet neto në 2014 arritën vlerën 1.739 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 6,3 % ndaj vitit 2013. Shitjet e realizuara nga prodhuesit e shërbimeve për 2014 përbëjnë 66,4 % të shitjeve gjithsej dhe kontribuojnë me 5,3 % në rritjen gjithsej të këtij treguesi.
Përsa i përket investimeve dallohet një rritje e tyre prej 11,3 % në vitin 2014, ku investimet nga ndërmarrjet kapën vlerën 181 miliardë lekë, në krahasim me 163 miliardë lekë që u investuan në 2013. Ndryshe nga treguesit e tjerë, prodhuesit e të mirave dhanë kontributin më të madh në rritje duke përbërë 69,7 % të investimeve gjithsej për 2014 nga 56,9 % që përbënin në 2013.
Rezultatet e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve, shprehin se shitjet neto për të punësuar, për vitin 2014 kanë pësuar rënie me 1,3 %, si rezultat i rritjes së numrit të të punësuarve (7,7 %) me një ritëm më të lartë sesa shitjet neto (6,3 %). Situata paraqitet e njëjtë për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve. Rritja e punësimit me përkatësisht 6,1 % dhe 8,6 % përkundrejt rritjes së shitjeve neto me 2,7 % dhe 8,1 % rezultoi në rënie të shitjeve neto për të punësuar për prodhuesit e të mirave dhe shërbimeve përkatësisht me 0,4 % dhe 3,2 %.
Vlera e prodhimit për të punësuar për 2014 është 2.793 mijë lekë për të punësuar nga 2.851 mijë lekë për të punësuar rezultuar në 2013. Vlera e prodhimit për të punësuar është më i lartë tek prodhuesit e të mirave (4.100 mijë lekë për të punësuar) në krahasim me prodhuesit e shërbimeve (2.019 mijë lekë për të punësuar)
Ndër treguesit makroekonomikë të llogaritur është edhe vlera mesatare e investimeve të kryera nga një ndërmarrje. Ky tregues është rritur me 10,7 % në 2014 krahasuar me 2013. Nga raporti i numrit të të punësuarve me numrin e ndërmarrjeve aktive rezulton se mesatarisht një ndërmarrje ka punësuar katër persona gjatë vitit 2014. Në ndërmarrjet e prodhuesve të të mirave janë punësuar mesatarisht dymbëdhjetë persona, ndërkaq tek ndërmarrjet prodhuese të shërbimeve janë punësuar tre persona.
Ndërmarrjet e prodhimit të të mirave ku përfshihen sektorët e industrisë nxjerrëse, përpunuese, energjisë elektrike, gazit, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve si edhe ndërtimi, kanë kontribuar me rreth 33,6 % në realizimin e shitjeve neto. Sektori me ndikimin më të madh në prodhuesit e të mirave, pothuajse në të gjithë treguesit, e ka sektori i industrisë përpunuese për numrin e ndërmarrjeve aktive (8,2 %), numrin e të punësuarve (19,8 %) dhe shitjeve neto (11,2 %).
Sektori me përqindjen më të madhe të investimeve është sektori i energjisë elektrike, gazit, ujit dhe menaxhimit të mbetjeve me 29,1 %. Për prodhuesit e të mirave, sektori i industrisë përpunuese ka normën më të lartë të rënies të numrit të ndërmarrjeve aktive (11,3 %). Sektori i ndërtimit pati normën më të ulët të rritjes së treguesit të punësimit për prodhuesit e të mirave me 3,4 %. Përqindja e investimeve të kryera nga ky sektor u rrit duke zënë 14,2 % të investimeve gjithsej nga 4,7 % në vitin e kaluar.
Nga analiza sektoriale e treguesit të vlerës së shtuar vihet re se kontributin më të madh e ka dhënë sektori i tregtisë me 18,6 % të vlerës së shtuar gjithsej. Për sa i përket prodhuesve të të mirave, kontributin më të madh e ka dhënë industria përpunuese me 15,2 %.
ATSH