Të akuzuarit e rastit “Lagjja e Trimave” te marten do të dalin në Gjykatën e Shkupit për të dëshmuar në seancë gjyqësore për ngjarjet që kanë ndodhur më 9 dhe 10 maj të vitit 2015-të në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, njofton Portalb. Sipas aktakuzës 29 persona akuzohen për terrorizëm dhe prishjen e rendit kushtetues të Maqedonisë. Seanca e fundit u mbajt më 11 shkurt. Përndryshe në seancën e fundit, avokatët e palës mbrojtëse për rastin janë zotuar se edhe shkencërisht do ta dëshmojnë se është i pabazë kualifikimi si vepër terroriste dhe organizim terrorist nga ana e Prokurorisë Publike për ngjarjet e 9 dhe 10 majit në Kumanovë. Ndërsa të akuzuarit kanë kërkuar drejtësi dhe kanë hedhur dyshime të reja të cilat do t’i japin kahe të duhur rastit drejt zbardhjes.