Duke prezantuar pikat kryesore të programit të tij për Shkodrën, kandidati i PS për këtë bashki, Benet Beci tha se synimi i tij është që ta kthejë qytetin në një qendër turizmi dhe rajonale. Në intervistën për “News Line” në Abc News, Beci tha se kryefjala do të jenë zhvillimi ekonomik, projektet dhe investimet.
“Janë tre linja kryesore të fushatës. Së pari, do të jetë një bashki e cila do të jetë në punë, e fokusuar tek investimet. Do të jetë një bashki e hapur, e cila thith dhe merr investime dhe mendoj se do të jemi bashkia e parë në Shqipëri sa i përket thithjes së investimeve dhe donacioneve në Shqipëri.
Shkodra besoj të jetë qendra rajonale e zhvilluar përtej kufijve dhe mendoj se do të kemi një bashkëpunim për një bashki me banorët, komunikuese për të përcjellë problematikat që ka. Shumë shpejt mendojmë të kemi një program të investimeve të rrugëve rurale dhe qyteteve.
Projekti kryesor i Shkodrës do të jetë hyrja e Shkodrës, që është bërë gati dhe pritet të investohet. Është edhe Ura e Bunës që lidh me Ulqinin. Janë disa projekte që janë në vazhdim, i lidhjes së Shëngjinit me Velipojën, disa pika doganore që po hapen për sa i përket rrugës së Zogajve.
Besoj që koncepti i projektit për Shkodrën nuk është brenda qytetit por në të gjithë zhvillimin rajonal të Shkodrës si qendër e rajonit të veriut. Nëpërmjet hapjes me disa pika doganore. Investim kryesor është autostrada adratiko-joniane nga Muriqani deri në Lezhë.
Janë të ndarë në dy grupe, grupi i investimeve të qeverisë që e çojnë Shkodrën si hekurudha nesër dhe rrugë të tjera lidhëse dhe e kthejnë Shkodrën në një qendër rajonale zhvillimi. Pastaj është pjesa e Shkodrës brenda në mënyrë që Shkodra të jetë në një nivel të pritjes të turizmit dhe të forcimit të ekonomisë së saj. Që të jetë e tillë duhet të hysh dhe të jesh i ftuar të hysh në Shkodër.
Sot, nuk ka një ftesë për të hyrë. Është jo ftuese hyrja e Shkodrës. Kur them duam ta shikojmë Shkodrën në dy plane, rreth si qendër rajonale dhe brenda si ofertë turistike dhe fuqi ekonomike.”, tha ai. Ai përmendi edhe projektet për lumin Buna dhe për liqenin e Shkodrës.
“Bërja i lundrueshëm i Bunës dhe liqenit e bën atë të lidhet në mënyrë turistike me ujin dhe rrugët, me Ulqinin, Velipojën dhe Shëngjinit. Projekti i moleve e bën të lundrueshëm liqenin. Projekti që do të bëhet për të bërë të lundrueshëm Bunën, lidhja që bëhet me Velipojën, Ulqinin dhe Shëngjinin krijon një treg të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin.“, tha Beci./m.j