Ankesa e Enkelejd Alibeajt për përdorim të paligjshëm të simboleve te Partisë Demorkatike ra në vesh të shurdhët.
Vetëm pak orë pasi kryetari i komanduar demokrat i kërkoi KQZ dhe AMA-s nisjen e një hetimi administrativ, Sali Berisha dhe Ilir Meta u shfaqen në fushatë e Gramshit me flamujt e Partisë Demokratike. Sfida për debat publik ishte jo vetëm për Edi Ramën, por edhe kandidatët socialistë.
Edhe Ilir Meta tregoi se fizikisht ishte në Gramsh, por mendjen e kishte te beteja e kryeqytetit.
“Ju e dini shumë mirë sesi është keq qeverisur Gramshi në këto 4 vite. Por unë e di shumë mirë sesi është keq qeverisur Tirana. Asnjë nuk e di në Tiranë se kush ka qenë kryetari apo kryetarja e Këshillit të Bashkisë në 4 vjet. Sepse kurrë nuk është bërë një mbledhje e këshillit bashkiak sikurse bëheshin përpara 4 vitesh sikurse bëheshin gjithmonë.
Me debate, me alternativa, me propozime, me amendamente për buxhetet, për taksat vendore, jo asnjëherë. Mbi 1 miliard euro taksa janë shpërdoruar në errësirë të plotë. Dhe kur kjo ka ndodhur në Tiranë, ju e dini shumë mirë, çfarë ka ndodhur në Gramsh”.
Gara në Gramsh zhvillohet vetëm mes dy kandidatëve, Hasim Çekrezit i koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe socialistit Besian Ajazi./m.j