Pranë një autostrade në Scranton, Pensilvani, qytetin e lindjes së presidentit amerikan, Joe Biden, qindra punonjës e robotë gjigantë prodhojnë armatime të rënda, predha artilerie 155 mm, nga një furrë me demperaturë 2 mijë gradë.
“The Telegraph” shkruan se në javët e ardhshme, këto predha do të lëshohen në drejtim të forcave të Vladimir Putin në kundërofensivën e forcave ukrainase. Në fabrikën e municioneve në Scranton, urgjenca me të cilën ka rritur prodhimin Amerika nuk është parë që prej luftës koreane. Kjo fabrikë prodhon pak më shumë se 11 mijë predha 155 mm çdo muaj. Megjithatë, kërkesat janë shumë më të larta. Aktualisht, ushtria ukrainase po përdor mesatarisht 7700 predha 155 mm çdo ditë, duke rritur ndjeshëm frikën se edhe fuqia e industrisë së mbrojtjes amerikane nuk do të jetë e mjaftueshme në këtë luftë. Në total, që prej 24 shkurtit të vitit të kaluar kur Rusia nisi ofensivën, SHBA i ka dërguar Kievit mbi një milion predha 155 mm, duke ulur rezervat e veta.
Aktualisht, Pentagoni po shpenzon mbi 120 milionë dollarë në uzinën e Scranton, me synimin për të dyfishuar prodhimin e predhave deri në fund të këtij viti dhe ta rrisë atë me 500 për qind në pesë vitet e ardhshme.
“Roboti punon 24 orë në ditë. Nëse bëhet një gabim në temperaturë 2 mijë gradë celsius, do të ishte një katastrofë. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të plotësuar kërkesën aktuale me 11 mijë predha”, u shpreh për “Telegraph” Rich Hansen, përgjegjësi i uzinës.
/s.f