Rikthehen akuzat kundër ish-presidentit polak, Lech Walesa për një bashkëpunim të dyshuar të tij me shërbimet sekrete të Polonisë komuniste të kohës.
Instituti për Kujtesën Kombëtare (IPN) bëri sot publike dokumente të shërbimeve sekrete polake (SB), që përforcojnë hipotezën e bashkëpunimit të ish-liderit të ”Solidarnost”-it mes viteve 1970-1976 me pseudonimin “Bolek”.
Sipas agjencisë zyrtare polake të lajmeve, PAP, dokumenti i parë, i cili që sot është i hapur për publikun në bibliotekën e IPN-së, mban datën 4 janar 1971, ndërkohë që dokumenti i fundit ka datën 18 shkurt 1976.
Bëhet fjalë për relacione jo të shkruara nga Walesa, por nga funksionarë të ndryshëm, pas bashkëbisedimeve me “Bolek”-un.
Në arkivin e gjetur nga IPN-ja javën e kaluar në shtëpinë e ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Czeslaw Kiszczak, janë edhe fatura parash që “Bolek”-u kishte marrë për bashkëpunimin.
“Jo unë, por ju më keni tradhtuar”, shkruan sot Walesa në blogun e tij duke mohuar gjetjet e IPN-së.
Edhe historiani, Karol Modzelewski në një intervistë për gazetën ”Gazeta Wyborcza” shpreh habinë për akuzat e reja ndaj Walesës.
Sipas një dëshmie të një funksionari të shërbimeve sekrete, mes viteve 1970-1980 dokumentet kundër Walesës falsifikoheshin për të shkatërruar besueshmërinë mes sindikalistëve si edhe për të penguar marrjen e çmimit Nobel nga ish-presidenti, në vitin 1983.