Është shtyrë seanca në gjykatë për kërkesën e ish-zyrtares Alda Klosi për të ndryshuar masën e sigurisë të “Arrestit me burg”. Shkak është bërë ngarkesa
Ish-zyrtarja, e cila akuzohet për “pastrim parash” dhe “deklarim të rremë të pasurisë”, kërkoi një masë më të butë sigurie për shkak të problemeve shëndetësore të saj dhe të mamasë së saj.
“Seanca është shtyrë pasi gjyqtari që do ta shqyrtonte ka qenë i ngarkuar për sa i përket masave të sigurisë.
Ajo që kërkon Alda Klosi është që të ndryshohet masa e sigurisë ndoshta në “Arrest shtëpie”, apo Detyrim paraqitje, pasi ndodhet në gjendje të rëndaur shëndetësore. Ajo thotë se ka mamanë sëmurë dhe se duhet të kujdeset për vajzën e saj minorene.
Gjykata do të vlerësojë nëse Alda Klosi do të qëndrojë në qelitë e paraburgimit apo nëse do të ketë ndryshim të masës së sigurisë”, bëri me dije gazetari i Euronews Eni Ferhati.
Alda Klosi është pronarja e banesës, në të cilën sanitarja Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi grabitën një shumë rreth 120 mijë euro.
Vjedhja në banesën e ish-zyrtares së lartë ndodhi më 15 dhjetor të vitit 2022.
Pas raportimin në polici të vjedhjes dhe kontrolleve të kryera në banesën e nënë e bir, u gjetën rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë dhe aksesorë floriri, të cilat dyshohet gjithashtu se janë vjedhur nga pastruesja Rozeta Dobi.
Ka qenë vetë Klosi ajo që ka bërë denoncimin në polici, teksa ka pretenduar se paratë ishin të një personi të afërt të saj i cili do të kurohej për një sëmundje të rëndë.
Vjedhja e banesës është kryer me çelësin që ka pasur pastruesja e shtëpisë, e cila ka shfrytëzuar momentin kur në banesë nuk ka pasur njeri. Ajo së bashku me të birin pasi kanë vjedhur shumën e parave kanë bërë rrëmujë në dhomën e gjumit për të humbur gjurmët.
E gjitha u bë me qëllimin e inskenimit të një skeme sikur banesa kishte rënë pre e grabitjes nga autorë të tjerë.
Ende nuk është arritur të provohet se kujt i përket shuma prej 405 mijë euro dhe 8500 dollarë të cilat u gjetën në tubin e aspirimit në banesën e sanitares Dobi./m.j