Një 60-vjeçare është plagosur me armë zjarri në këmbë pasditen e së enjtes në fshatin Garunjas të Lushnjes. Bajame Senej po kthehej në banesë me makinë bashkë me djalin e saj, por një breshëri automatiku u ndërpreu rrugën.
Motivet e ngjarjes, sipas familjarëve të gruas së plagosur janë konfliktet e vazhdueshme për një sipërfaqe toke. Menjëherë pas ngjarjes vëllai i saj akuzoi kushërinj të tyre si autorë të ngjarjes.
“Para dy vjetëve kanë qëlluar me armë, sot prapë qëllojnë me armë, kanë plagosur motrën”, tha Afrim Hasalla
Policia tha në një njoftim zyrtar se ka identifikuar si autor të ngjarjes shtetasin Armand Hasalla. Por ky i fundit kontaktoi Tv Klan duke hedhur poshtë akuzat dhe duke pretenduar se ndodhet në Greqi.
“Më mori policia në telefon, je i dyshuar tha se kështu, kështu. Unë nuk e di fare, unë jam në Greqi. Nuk di fare se çfarë bëhet andej”, tha ai.
Ai ka dërguar edhe një video nga vendi ku thotë se ndodhet.
“Mirëmbrëma. Ndodhem në fshatin Orku të Greqisë. Kjo është platia që rrinë të gjithë njerëzit, kalamajtë”, tha ai.
Edhe vëllai i tij Laert Hasalla thotë se ndodhet në Itali dhe se familja e tij nuk ka lidhje me ngjarjen.
Historia e ka pikënisjen nga një konflikt i korrikut të vitit 2021, kur Kastriot Hasalla, vëllai i 60-vjeçares së plagosur këtë të enjte vrau kushëririn e tij Romeo Hasallën dhe plagosi 3 të tjerë pas përplasjes për pronën. Pikërisht sot ishte edhe vendimi i gjykatës për këtë çështje.
“35 vite burg ka dhënë gjykata e Lushnjes për Kastriot Hasallën për ngjarjen e dy viteve më parë. Pas kësaj seance gjyqësore, familja Hasalla është nisur në shtëpinë e tyre, por në rrugë e sipër është hasur në breshërinë e automatikut”, raportoi gazetarja Anila Sefa.
Në atë kohë Kastriot Hasalla u vetëdorëzua në polici duke pranuar akuzat. Hetuesit kanë marrë dëshmi të të dyja palëve me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave.
/a.r