Kryekomisioneri i KQZ, Ilirian Celibashi i ftuar në emision Quo Vadis në Vizion Plus komentuar lidhur me situatën e krijuar për regjistrimin e PD në zgjedhjet vendore të 14 majit dhe akuzat që kanë shënjestuar atë lidhur me vendimmarrjet për këtë subjekt.
Celibashi refuzoi të komentonte mbi vendimin e KAS për të “rrëzuar” atë. Ai tha se respekton çdo vendimmarrje të institucioneve.
“Do duhet të pranojmë vendimmarrjet e instancave të fundit pavarësisht bindjeve tona ligjore me çështje të caktuara të ligjit. Edhe pse respektojmë plotësishtë atë vendimmarrje në cilësinë e komisionerit të KQZ, bindja ime për vendimmarrjen e marrë nga ana ime për atë çështje qëndron ajo sikurse është shprehur në vendimin tim.”
Lidhur me akuzat nga PD zyrtare se vendimi i tij ishte politik, Celibashi deklaroi se të tilla deklarata ishin të pabazuara në fakte.
“Do të ishte mirë që ata t’ia kishin kursyer vetes këtë qasje ndaj vendimmarrjes së komisionerit shtetëror edhe kjo vlen për raste të ngjashme edhe për subjekte të tjerë, të cilët e shohin vendimmarrjen institucion të ndryshëm nga interesat e tyre politikë. Mesa duket e kanë të vështirë të shkëputen nga gjithë kjo traditë jo e mirë e sjelljes së partive politike kundrejt institucioneve. Të dalësh e të thuash se ai vendim është bazuar në interesa politike pa dhënë asnjë argument dhe asnjë provë më duket pa sens dhe e pa sens për ta replikuar”, tha ai.
Celibashi ka komentuar dhe deklaratën e shumëpërfolur, ku ai thotë se kreu i PD për të është Berisha. Sipas tij, kjo deklaratë është nxjerrë jashtë kontekstit nga palët e interesuara për ta keqpërdorur.
“Po rikonfirmoj që unë nuk e kam thënë dhe nëse e dëgjon çfarë kam thënë, kupton se nuk kam thënë se kryetari i PD është Sali Berisha, por ne nuk kemi çfarë bëjmë sepse do duhet të konsiderojmë se kryetari i PD është Basha. Kemi arsyetuar që me atë vendimmarrje se kush është kryetari i një partie nuk mund të bazohet mbi perceptimet e askujt por do duhet të vlerësohet dokumentacion zyrtar i cili tregohen se kush është kryetar i PD. Kjo është ajo që kam thënë. Unë e kuptoj se këtu jo vetëm për kaq ‘shumë gjë’, por edhe për më pak se aq komentet e palëve të interesuara janë sipas interesit të tyre. Kam vetëm keqardhje”, shtoi ai.