Fuqitë perëndimore e kanë hedhur poshtë një përpjekje të Rusisë për ta fokusuar Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër Turqisë, për shkak të përshkallëzimit të luftës në Siri dhe i kanë bërë thirrje Moskës që t’u përmbahet planeve për armëpushim në rajon. Derisa afati për fuqizimin e marrëveshjes për ndaljen e armiqësive në Siri kaloi mbrëmë vonë, me pak shenja të bashkëpunimit, Rusia e paraqiti një propozimrezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me të cilën synohej ndalja e sulmeve me predha të Turqisë kundër kurdëve sirianë.
Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, e akuzoi Rusinë për përpjekje të shmangies së vëmendjes nga dështimi i saj që t’i ndalë sulmet ajrore në ndihmë të fushatës së qeverisë së Sirisë, për ta rrethuar dhe rimarrë kontrollin në Alepo, që është qyteti më i madh në Siri. Ambasadori i Francës në OKB, Francois Delattre, tha se “ne po ballafaqohemi me përshkallzëim të rrezikshëm ushtarak që lehtë mund të dalë jashtë kontrollit dhe të na çoj në një situatë të panjohur”. Ai theksoi se snyimi i Turqisë për të intervenuar në koflikt ishte “rezultat direkt i ofensivës brutale në veri të Sirisë, që ishte udhëhequr nga regjimi i Sirisë dhe aleatët e vet”.