Policia italiane ka arrestuar një çift që strehonte bosin e Cosa Nostras, Matteo Messina Denaro. Bëhet fjalë për Emanuele Bonafede, 50 vjeç dhe Lorena Lanceri, 48 vjeçe.
Bashkëshortët akuzohen se kanë mbajtur në shtëpinë e tyre kreun e mafies siciliane, deri pak ditë para arrestimit të tij. Sipas prokurorisë, Bonafede dhe Lanceri kanë ndihmuar Messina Denaron të ruante kontakte me njerëzit e rëndësishëm.
Një prej tyre ishte Laura Bonafede, vajza e Nardo Bonafede, bosit mafioz të distriktit Campobello që vdiq në paraburgim në nëntor 2020.
Laura Bonafede është fotografuar në market së bashku me Matteo Messiba Denaro dy ditë para arrestimit të tij.
Në një letër që ajo i kishte dërguar, Laura flet me kode dhe i shpreh dashurinë kumbarit.
“E bukura e jetës sime ishte që të takova, sikur fati më bëri një dhuratë. Ajo dhuratë je ti. Mendoj se çdo femër që të ka pranë ndihet e veçantë. Me ty ndihem e mbrojtur, ti më bën të ndihem mirë, më bën të buzëqesh me batutat e tua dhe e adhuroj ironinë tënde, njohuritë dhe inteligjencën tënde të pamasë. Të të njihja ty ishte privilegj dhe më vjen keq për ata që nuk mundën. E di, të dua!”, shkruan ajo, me pseudonimin Diletta.
Ndërkaq, çifti ka dhënë dëshminë pas arrestimit të bosit të mafies më 16 janar, duke u shprehur se e kanë zbuluar rolin e tij dhe identitetin e vërtetë kur u bë me dije nga policia pasi nuk e njihnin. Sipas dëshmisë së rreme, Messina Denaro ishte prezantuar si Francesco Salsi.
Pas dy muajsh hetime u zbulua se bashkëshortët kanë gënjyer dhe kanë ndihmuar me vetëdije të plotë të shumëkërkuarin prej 30 vitesh. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se si “kumbari i fundit” ka shkuar në banesën e tyre gati çdo ditë, ndërsa çifti është kujdesur të kontrollojë rrugën në momentin që ai hynte. Të gjitha lëvizjet janë të regjistruara nga kamerat.
/s.f