Orët e para të mëngjesit pritet të jenë në mbizotërimin e vranësirave të shpeshta të cilat do të gjenerojnë reshje të pakta shiu në të gjithë vendin, ku më të dukshme do të jenë pjesërisht në Qendër dhe Jug të Shqipërisë.
Ndërsa duke filluar në orët e mesditës dhe në vijim do të kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të motit në të gjithë vendin.
Në ultësirën perëndimore do të ketë edhe intervale të gjata me kthjellime. Ndërsa në zonat malore mbeten prezente vranësirat kalimtare.
Temperaturat e ajrit do të ulen në mëngjes dhe në mesditë duke u luhatur nga 0°C deri në 16°C.
Era do të fryjë mesatare dhe e fortë me shpejtësi 55 km/h nga drejtimi Verior kryesisht duke sjellë në brigjet detare dallgëzim 4 – 5 ballë.
Kosova
Territori i Kosovës mbetet në dominimin e vranësirave të shpeshta dhe intervaleve me kthjellime.
Parashikohet që kthjellimet më të dukshme të jenë gjatë orëve të mesditës.
Ndërsa vranësirat gjatë mëngjesit dhe mbrëmjes do të pësojnë herë pas here zhvillime të përkohshme duke sjellë reshje të pakta dhe të izoluara dëbore në Kosovë.
Temperaturat e ajrit do të bien ndjeshëm, ku minimalet gjatë mëngjeseve do regjistrojnë -4°C dhe maksimalet gjatë mesditës do të ngjiten deri në 10°C.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV për gjatë gjithë ditës së enjte do të jetë me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta, ku më prezente kthjellimet pritet të jenë në orët e mesditës dhe pasdites.
Ndërsa vranësirat herë pas here parashikohet të zhvillohen në MV, duke sjellë reshje në të gjithë territorin.
Në skajin Verior dhe Jugor do të ketë reshje të pakta shiu. Por në pjesë tjetër të vendit reshjet e pakta do të jenë në formë dëbore.
Rajoni dhe Evropa
Vendet Nordike dhe Lindja e kontinentit Evropian parashikohet të jenë në mbizotërimin e vranësirave të shumta të cilat do të gjenerojnë reshje dëbore.
Ndërsa me vranësira, reshje shiu dhe stuhi ere paraqiten Ishujt Britanik. Gjithashtu nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme do të jetë pjesërisht Evropa Qendrore dhe rajoni i Ballkanit, ku vranësirat do të gjenerojnë reshje.
Por pjesa tjetër e Jugut të kontinentit pritet të jetë më alternime kthjellimesh dhe vranësirash, ku më të dukshme kthjellimet do të jenë në Jugperëndim të kontinentit.