Shkëlqim Cani, është ndër ata që mund të quhen dinosaurët e Partisë Socialiste. Ndër themeluesit e saj dhe brezi i Fatos Nanos; i ardhur nga radhët e profesoratit; deputet i saj, pas ardhjes në pushtet të së majtës në vitin ’97, preferoi ruajtjen e një profili të ulët politik, duke zgjedhur postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kohë gjatë së cilës u përpoq të ishte larg syve të publikut.
I akuzuar nga opozita për vjedhjen e arit që ndodhi gjatë mandatit të tij, asnjëherë nuk u provua kompliciteti i Canit. Çdo njeri që e di sadopak mekanizmin e pushtetit, dhe kohërat kur ende shteti i sapodalë nga rrëmuja e ’97-ës ishte i papajisur me kuadret ligjore përkatëse, vështirë se mund ta besojë që një zyrtar klasik si ai, mund të ndërmerrte aksionin spektakolar të bandave të Far Westit.
Me mbarimin e mandatit, Fatos Nano nuk pranoi t’ia rinovonte. Arsyeja publike se i kishte shkaktuar humbje rezervës së BSH, meqënëse e ruajti atë në dollarë dhe jo në euron e sapolindur, ishte e tretshme për stomakun e publikut, por jo për profesionistët. Të njëjtën rrugë zgjodhën edhe banka të tjera me rezerva shumë më të mëdha, si përshembull ajo e Kinës.
Pas tërheqjes, ruajti rishtas një profil të ulët.
Me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS dhe afrimin e tij drejt pushtetit, Shkëlqim Cani kishte tre asete që i duheshin Ramës: ishte nga garda e vjetër, por jo i lidhur pazgjidhshmërisht me ata, dhe kështu krijonte imazhin e vazhdimësisë së PS; ishte profesionist dhe kështu i siguronte një konsulencë adekuate Ramës që nuk ia kishte (dhe vazhdon të mos ia ketë) haberin financës shtetërore; ishte nga zona e Dibrës, e rëndësishme kjo për një parti që bazën e saj vazhdon dhe e ka në jug.
Por sot jemi në fazën që Rama e ka kuptuar se për ekonominë në terma afatgjatë nuk mjafton Shkëlqim Cani, por duhet një trupë e tërë që ai as e ka dhe as e do; dhe për objektivat që i ka vënë vetes, nuk i duhet një njeri që i kërkon njëqind letra. Ndaj erdhi edhe ora e mbrame për Canin.
Në fakt marëdhënia e Canit me Ramën asnjëherë nuk ka qenë nga ato që mund të quhen miqësore, në termin që i jep miqësisë Rama. Natyrë e ftohtë dhe pa karizëm, i sjellshëm por korrekt, nuk ishte natyra që Rama presupozon nga vartësit e tij, ku aksioma është “hajde mbarojmë punën, pastaj bëjmë letrat”. Cani nuk është natyrë që rri tek paradhoma e shefit të tij dhe as që e shoqëron bisedën me frazat që rrisin lavdinë dhe përkëdhelin egon e sundimtarit. Atu kjo e domosdoshme që të qëndrosh në tavolinën e rrumbullakët të Këshillit të ministarve, por mbi të gjitha në rrethin e ngushtë të shefit të qeverisë. Kjo e penalizoi në performancën e tij. Si rrjedhim, i papyetur për emërimet e drejtorëve të Tatim Taksave dhe Doganave që e anashkalonin, por përgjegjës ligjërisht për performancën e tyre; i qethur nga shumë kompetenca thelbësore që i kishin kaluar Ahmetaj; i papyetur për politika afatgjata ekonomike, Canit i kërkohej të vendoste rekord në atletikë, ndërsa e detyronin të garonte me karrocë paraplegjiku. Në këtë pikë, Shkëlqim Cani nuk kishte më kuptim të qëndronte në atë post. Me heqjen e tij, Rama ka shpëtuar nga ngërçi që të kuptonte se çfarë i kërkonte dhe rekomandonte Cani. Ndërsa Cani vetë, nga një përgjegjësi e cila kishte filluar e kthehej në formale për të.
Pas kësaj, Rama ka duar të lira të operojë me ministrin e ri, por hoqi edhe një halë në trupën e ministrave që i takojnë PS-së, ku të gjithë i rrinë gatitu. Ndërsa vendi humbi një njeri që merrte vesh nga shifrat dhe politikat zhvillimore të cilat nuk i konceptonte si punë qokash apo iniciativash personale. Cani nuk ishte një revolucionar. Nuk ka kërkuar të jetë ndonjëherë i tillë as në ’97-ën kur s’mbeti njeri pa qëlluar me armë. Ishte thjesht një zyrtar i ekonomisë, tepër i ngurtë për mendësinë dhe voluntarizmin e ekipit të Ramës, dhe tepër i pakuptueshëm për masën e njerëzve që pret paratë t’i bien nga qielli./dritare.net
O mik! Po Shkelqimi nuk ka vdekur!