Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani deklaroi të premten se “reforma në drejtësi duhet të jetë gjithëpërfshirëse, e thellë dhe transparente”, ndërsa shprehu bindjen se është plotësisht i mundur miratimi i ndryshimeve kushtetuese brenda muajit mars. I ftuar në një emision televiziv, Manjani u shpreh se “në qoftë se ne hyjmë sa më parë të jetë e mundur në një proces konsultimi politik, të domosdoshëm për të siguruar hapësirën konsensuale për këtë çështje, është plotësisht i mundur miratimi i ndryshimeve kushtetuese brenda muajit mars”.
I pyetur mbi mosdekretimin e ministrave të rinj nga Presidenti Bujar Nishani. Manjani tha se “nuk ka një mosdekretim, por ka një ushtrim të kompetencave kushtetuese nga ana e Presidentit”. “Është herët të themi që ka një përplasje. Brenda 7 ditësh Presidenti i Republikës i duhet të dekretojë propozimet e Kryeministrit. Kjo është Kushtetuta dhe nuk kemi çfarë të diskutojmë më”, tha ai. Sa i përket çështjes së muhaxhedinëve, ministri Manjani deklaroi se “kjo çështje nuk është diskutuar në takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit John Kerry”.
Ai theksoi gjithashtu se as çështja e Byrosë Kombëtare të Hetimit nuk ka qenë në fokus të bisedimeve. “Kemi biseduar për rëndësinë e reformës në drejtësi në tërësi. Z. Kerry qartazi e theksoi në mënyrë të përsëritur nevojën për një reformë në drejtësi të thellë, transparente, bashkëpunuese dhe si një sfidë të shtetit shqiptar në mënyrë të veçantë për të thithur investimet e huaja. Kjo ka qenë mesazhi i qartë me tekst të drejtpërdrejt i z. Kerry për ne”, tha Manjani. “Të gjithë janë dakord me faktin e domosdoshmërisë së reformës. Kemi shpallur një dakordësi për t’iu referuar rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe besoj që me ardhjen përfundimtare të këtyre rekomandimeve, ndoshta edhe më shpejt, mund të fillohet kjo puna”, tha ai.