Fati i Nertila Osmanit dhe Sonila Kryeziut, që u zhdukën në të njëjtën datë mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004 mund të zbardhet së shpejti.
Efektivë të forcave blu shkuan mbrëmjen e së enjtes në vendin ku sipas dëshmisë së një zonje që emisioni “Pa Gjurmë” i ruan identitetin, janë groposur dy shoqet Nertila Osmani dhe Sonila Kryeziu të zhdukura mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004. Gjatë deklarimit në polici, gazetari i emisionit nuk zbuloi emrin e dëshmitares, e cila nga sa ka kontaktuar me avokatin e emisionit “Pa Gjurmë” do të flasë për policinë vetëm nëse merr garanci për jetën dhe bëhet dëshmitare e mbrojtur.
Dëshmitarja pretendon se njeh 2 nga 3 personat që sipas saj janë përfshirë në vrasjen e dy vajzave dhe më tej në groposjen e tyre në dunat e plazhit të Divjakës. Sipas saj, vrasjet janë bërë nga Arben Hoxha, ish-kreu i një prej bandave famëkeqe të Lushnjes, që sot nuk jeton më pasi është vrarë në vitin 2005. Dëshmitarja pretendon se ngjarjen e ka mësuar nga një prej anëtarëve të grupit të Arben Hoxhës, Armand Naçi me pseudonimin “Sepentia”, që sipas saj ka bashkëpunuar në groposjen e shoqeve. Zonja thotë se edhe ky bashkëpunëtor ka ndërruar jetë dhe gjatë kohës kur ishte gjallë nuk mund të fliste dhe të tregonte emrin e bashkëpunëtorit të tretë, pasi anëtarët e bandës të Arben Hoxhës, të vrisnin.
Kjo dëshmi solli tronditje të madhe tek familjarë të dy vajzave të humbura, që kërkonin të zbulonin fatin e tyre përmes emisionit “Pa Gjurmë”. Pas kësaj dëshmie nëna dhe motra e vajzave shpërthyen në lot.
Arben Hoxha i bandës së Lushnjes që mbante nofkën ’Ben Komisari’ bashkëjetonte në zonën e Laprakës me Nertila Osmanin, me të cilin në vitin 203 solli në jetë dhe një vajzë. Ditën kur Nertila humbi, bashkëjetuesi i saj i tregoi se do nisej për në Gjermani dhe pas debatit mes tyre vajza u takua me shoqen e saj Sonila Kryeziu. Siç motra e saj dëshmoi në pa Gjurmë, edhe Sonila ishte larguar nga banesa pasi një djalë me emrin Dani nga Durrësi e kishte telefonuar mbrëmjen e 11 marsit të vitit 2004.
/s.f