Sali Berisha sulmoi ambasadoren amerikane Yuri Kim lidhur me takimet që zhvilloi sot me kryetarët e partive politike për zgjedhjet e 14 majit, vetëm një ditë para se KQZ të vendosë se kë do të regjistrojë në zgjedhje nën logon e PD-së, Alibeajn apo Berishën.
Sipas kryedemokratit, diplomatja nuk ka asnjë moral para shqiptarëve të flasë për zgjedhjet.
Sali Berisha: Ata që u përpoqën t’ju tradhëtojnë ju, t’ju futin thikën ju, ata kanë përfunduar dhe përfundojnë në koshin e plehrave të shoqërisë. McGonigal përfundoi të shkatërronte opozitën si vrasës i paguar nga Edi Rama. Ja ku është Lulzim Brava i cili u mor peng nga Edi Rama me proces gjyqësor dhe pastaj thoshte se po më urdhëron në mënyrë të tmerrshme ambasadorja amerikane. Tani i them: Zonjë ja ku e ke, një kalbësirë, një kufomë politike, ja ku e ke, merre.
Kundër PD, kundër jush, kundër demokratëve u vërsul me të njëjtën egërsi si McGonigal, McGonigali me fustan Yuri Kim. Pas dy muajsh u bë e gjallë sot. I them nga këtu se nuk ke asnjë moral, asnjë të drejtë të flasësh për zgjedhjet në këtë vend. Ti je e para që shkove dhe urove Edi Ramën me urdhër të McGonigal zgjedhjet më të vjedhura, më të rrënuara, më të plaçkitura në historinë e vendit. Mos mendo ti se mund tu shesësh për moral shqiptarëve amoralitetin. Shqiptarët kanë shumë probleme, por janë inteligjentë, nuk ua hedh dot. Të duket se ua hedh por askush nuk ua hedh atyre.
Berisha akuzoi edhe njëherë Lulzim Bashën dhe Enkelejd Alibeajn se janë pengje të Edi Ramës.
Berisha: Keni dëgjuar për problemet brenda PD. Tani doli e qartë çdo gjë si drita e diellit. Duke i parë veprimet e Lulzim Bravës dhe Ali Bashës i kam thënë qindra herë vetes time ku do shkonim ne dhe Shqipëria me këta njerëz? Personalisht unë jam njeri i besimit, i besoj njeriut dhe mendoj se nga besimi duhet të udhëhiqemi. Ai që shkelmon besimin, shkelmon mbi veten e tij. Edi Rama i ka kapur si skllevër dhe mendojnë se ju nuk i shihni. Në historinë politike 32-vjeçare nuk ka pasur kurrë pengje si Brava dhe Ali Basha, nuk kanë asgjë me moralin.
Deklaratat Berisha i bëri në Mallakastër, në çelje të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, ku edhe prezantoi kandidatin e PD për kryetar bashkie.
Berisha: A është kjo saga e një qendresëe të jashtëzakonshme që do tu bëjë krenarë ju, fëmijët tuaj, brezat që vijnë. Sot paraqesim kandidatin për kryetar bashkie të Belshit dhe Mallakastrës, zoti Resmi Shano, një bir i juaji i cili është kujdesur vite e vite dhe ka mësuar fëmijët tuaj. Përfaqëson një familje dinjitioze mallakastriote, virtytet dhe moralin e shkëlqyer mallakastriot. Vijmë këtu për të çelë fushatën elektorale të Partisë Demokratike. Resmiu ka mbështetjen totale dhe të plotë të PD dhe Sali Berishës, është kandidat i zgjedhur nga ju me votën e lirë, nuk vjen nga zyrat e askujt, por nga vullneti dhe dëshira juaj. Kandidati i Edi Ramës është kandidati i mafiozëve, bandave, krimeve dhe i vjedhjeve. Atë nuk e lidh asgjë me ju./m.j