Pas veprimeve të përsëritura, duke hedhur gas lotsjellës 3 herë vetëm gjatë seancës së sotme, disa deputetë të opozitës kosovare janë nxjerrë me forcë nga salla e Kuvendit.
Në video shihen momentet kur deputeti i VV-së, Fisnik Ismalji, nxirret me forcë nga ana e efektivëve të sigurisë.
Pas tij, nga salla me dhunë janë nxjerrë Visar Ymeri dhe Albin Kurti.
Sipas raportimeve nga gazetarët e pranishëm bëhet me dije se e njëjta masë po merret edhe për deputetët e tjerë të opozitës të cilët nuk lejojnë zhvillimin e punimeve të Kuvendit.
Në Kuvend ka ndodhur edhe një përleshje ndërmjet deputetëve dhe Policisë së Kosovës.
Deputetja Albulena Haxhiu është lënduar gjatë këtij konfrontimi dhe ajo është dërguar me urgjencë në QKUK.
Janë revoltuar protestuesit jashtë Kuvendit të Kosovës, raporton Koha.net.
Ata janë larguar nga Policia dhe janë zhvendosur para Qeverisë së Kosovës. Kjo ka ndodhur pas largimit me forcë nga salla e Kuvendit të deputetëve të opozitës.
Në momentin kur ka dalë Isa Mustafa për të kaluar nga ndërtesa e Kuvendit për në ndërtesën e Qeverisë, protestuesit që ndodhen jashtë Kuvendit kanë nisur të përleshen me policinë.
Situata është tensionuar, dhe policia ka bërë kordonë të gjallë në mbrojtje të hapësirave që lidhin Kuvendin me ndërtesën e Qeverisë.