Komisioni i Ligjeve nisi të hënën shqyrtimin e projektligjit për disa ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, duke parashikuar ndryshime në status dhe në kompetencave për drejtorinë përgjegjëse.
Ndryshimet parashikojnë shkëputjen e kësaj drejtorie nga statusi i nëpunësit civil, emërtimin e saj si “Agjencia e Inteligjencës Financiare” dhe krijimin e një sistemi të ri pagash të krahasueshëm me pagat në sistemin e drejtësisë.
Deputeti Klevis Xhoxhi parashtroi qëllimet e këtyre ndryshimeve të iniciuara nga një grup deputetësh të Partisë Socialiste. Sipas tij, synohet dalja e Agjencisë nga legjislacioni i nëpunesit civil për shkak se intitucioni është shumë specifik dhe ka pasur vështirësi në rekrutimin e stafit për shkak të pagave të ulëta.
“Niveli i pagave të lidhet me nivelin e organeve në sistemin e drejtësisë, pikë referimi të jetë paga e drejtorit të përgjithshëm të Byrosë Kombëtare të Hetimit,” tha Xhoxhi. Sipas tij, vetëm në 3 vitet e fundit rreth 35 përqind e punonjësve janë larguar me dorëheqje për shkak të pagave të ulëta, ndërkohë që shteti shpenzon mijëra euro për trajnimin specifik të tyre.
Ndryshimet i japin kësaj agjencie mundësinë për të kryer prokurime dhe të lidhë kontratat për sistemet kompjuterike, mirëmbajtjen e tyre, duke përfshirë dhe ato të klasifikuara. Gjithashtu i japin asaj mundësinë që të ketë akses në të dhënat në fushën e komunikimeve elektronike.
“Agjencia e Inteligjencës Financiare mund të kërkojë informacion, të dhëna dhe dokumente të plota nga operatorët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre sipas legjislacionit për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë, sa lidhet me identifikimin e klientëve apo abonentëve, mbi pikat fundore të rrjetit të shërbimit të aksesit në internet,” thuhet në projektligj.
Në një rritje të rolit të kësaj strukture, e cila është në varësi të Ministrisë së Financave, PS propozon që ajo të ketë tagër që të lidhë marrëveshje bashkëpunimi edhe me organe johomologe brenda dhe jashtë vendit, që sipas Xhoxhit, mund të jenë institucione policore apo grupe të mëdha financiare.
Ndryshimet ligjore do të kalojnë për miratim pasi të merren parasysh rekomandimet e Këshillit të Ministrave dhe shqyrtimin në komisionet e tjera parlamentare./BIRN