Ish-kryeministri Sali Berisha, i ftuar dje në emisionin “Debati në Channel One” të Roland Qafokut, rrëfeu ngjarje të veçanta të karrierës së tij politike.
Z.Berisha, gjatë legalizimit të PD-së ju keni përmendur frazën “së bashku me ne festojnë vëllezërit e Kosovës, martirë që sakrifikuan aq shumë për Nënën Shqipëri”. Si ka mundësi që me atë izolim 50-vjeçar ju përmendni Kosovën?
Në datën 11 dhjetor 1990, kur Besnik Mustafaj dhe Kujtim Çashku më thonë “tani ne e kryem detyrën, s’kemi pse shkojmë më”, e ka shkruar Besniku diku madje… Unë u them që tani fillojmë, ne nuk tërhiqemi. Unë do të qëndroj për dy arsye. Arsyeja e parë është për shkak të Kosovës, tani është koha që ne të ndihmojmë Kosovën dhe e dyta është se unë kam marrë një vendim timin me kohë, jam shumë gjakftohtë, s’më impresionon asgjë dhe unë i ndihmoj këta për të shmangur ndonjë gjakderdhje, për të shmangur gjëra. Unë jam gjakftohtë, nuk kam më impresione nga pala tjetër dhe do qëndroj t’i ndihmoj. Këto ishin e vërteta dhe s’ka qenë kurrë asnjë arsye tjetër që unë nuk kalova në kardiologji.
Kishte ndonjë mundësi që të kalonit?
Edhe mund të kaloja. Qëllimi më maksimal i imi ishte pluralizmi, ai u arrit dhe unë mund të kaloja. Unë kisha qenë kalorës në fushën time, e kisha dashur shumë, kisha investuar shumë dhe kisha pasur pasion të madh, por Kosova ishte një çështje e tradhtuar, çështja kombëtare shqiptare ishte një çështje e tradhtuar në mënyrën më të paimagjinueshme.
Nga e njihnit ju kaq mirë këtë çështje?
Tropoja deri në Fierzë është Kosovë. Unë u rrita në një familje, e cila që nga fëmijëria më e hershme e deri sa jam larguar prej asaj vatre, nga mëngjesi deri në darkë kishte pothuajse vetëm një temë dhe ajo ishte Kosova. Familja ime të gjitha miqësitë i kishte në Kosovë, kishte përkrahur fuqishëm luftën, duke besuar te Konferenca e Bujanit dhe marrëveshja që u arrit që Kosova të bënte referendum pas mbarimit të luftës. Një familje pa asnjë lidhje ideologjike me komunizmin, kishte përkrahur në mënyrën më të vendosur luftën. Për këtë shkak edhe pas vendosjes së kufirit, burrat e shtëpisë sime ishin të brengosur në shkallën më të lartë që mund të imagjinosh. Unë s’i kisha parë kurrë ata të derdhnin lot as në mort, por janë përlotur për Kosovën. Ne kishim një traditë të familjes së madhe, ku veçanërisht dimrit, mblidheshin, bisedonin, këndohej me lahutë, çifteli. Biseda dhe kënga ishin gjithnjë Kosova. Këndonin me zë dhe nën zë duke ecur e punuar.
Po kullën e keni rikonstruktuar?
Djali po e rikonstrukton, por nuk ka mbaruar. Është ngritur muri dhe është vendosur çatia. Nuk është prishur asgjë, vetëm muret sepse rezultoi që njëri mur ka pasur të mbështetur murin e shtëpisë së një kushëririt tonë. Dhe aty kishte shumë lagështirë, që e kishte dëmtuar shumë murin, kështu që jashtë parashikimit, një pjesë e murit u prish. Them se kulla fillimisht është ndërtuar nga vitit 1860-1870. Aty ka lindur gjyshi im, por jo stërgjyshi, sepse ai ka jetuar gjatë, deri në 120 vjeç. Është pasaportë e shkëlqyer…
Pra, kur thoni se do jetoj shumë, e keni nga stërgjyshi?
Po, nga ata e kam. Pastaj është djegur 3 herë edhe nga serbët, edhe nga turqit. Po të shkosh aty, sheh se ajo ka një pozicion jo shumë të favorshëm, në kuptimin që është në udhëkryq, është rruga që shkon për në Gjakovë dhe rruga të cilën e përdor gjerësisht Hasi për të dalë në bjeshkët e veta. Ajo ka qenë kullë me odë.
Kur keni qenë për herë të fundit atje?
Kam shumë, shumë vite. Nga 14 vjeç kur jam larguar, s’kam shkuar më.
Kur të mbarojë rikonstruksioni, do shkoni?
Do të shkoj.
Duke studiuar për Hasan Prishtinën, më del me mbiemrin Hasan Berisha dhe nuk e di lidhjen me mbiemrin tuaj. Aty më del edhe presidentja Jahjaga dhe edhe ish-presidenti, legjenda Ibrahim Rugova. Si është e vërteta?
Jo, Rugova është nga Rugova, një luginë malore në veri të Pejës, nuk ka lidhje me këtë zonë. Kurse nga ajo zonë, Dervishaga, Jahjaga ka shtëpinë 20-30 metra larg shtëpisë sime, por të larguar mbase 150 vjet përpara, ose dhe më shumë, në Kosovë. Hasan Berisha besohet se i ka trojet në Kojel, një pjesë e fshatit Tropojë, Berishë janë. Në një fshat afër shtëpisë sime, një katund që quhet Kasaj, në një lagje që quhet Aliaj, thuhet se prej andej është dhe Ramiz Alia. Ramiz Alia kur u bë president, vendosi të kërkojë rrënjët e veta. Në një mënyrë ose një tjetër, dikush i tha që i ke në Aliaj, shumë afër Vuçidolit. Ai vendosi të bëjë një vizitë, nuk e di nëse bëri kërkim më të thellë. Por pas vdekjes së Enver Hoxhës, Ramizi erdhi në Tropojë, u përgatitën njerëzit ta prisnin, por nuk shkoi se i tha Sigurimi të mos shkonte, sepse mund t’i bënin atentat dhe ai shkoi në drejtim të kundërt, shkoi në Lekbibaj, që është drejtimi kundërt dhe bëri një takim atje. Për të nuk mund të them nëse është apo nuk është nga Aliaj, por ai këtë pretendim e shfaqi jozyrtarisht.
Pra, 4 nga politikanët më të rëndësishëm jeni nga një zonë?
Nga një zonë, por Ramizi nuk është Berishë, është nga Fshati Kasaj. Hasani dhe Jahjaga janë Berishë.
Ish-kryeministri Vilson Ahmeti ka thënë se shkatërrimet e vitit ’91 i shkaktoi Sigurimi i Shtetit serb.Ndërsa ju keni thënë se edhe eksodin e gushtit të vitit 1991 dhe pakënaqësi të tjera ia atribuoni Sigurimit të Shtetit. A keni prova për këtë?
Absolutisht të gjitha janë të faktuara. Çfarë ndodhi në vitin 1991? Sigurimi i Shtetit vendosi urat më të fuqishme me shërbimin serb. Ramiz Alia dhe Millosheviçi bënë gjithçka që të mbeteshin në pushtet si gorbaçovët e Ballkanit. Ishte një moment jashtëzakonisht i vështirë, kur agjentura serbe vërshonte në mbështetje të regjimit të Ramiz Alisë dhe po këto veprime bëheshin në Kosovë.
A e konfirmoni atë që është shkruar në media, që në parlamentin serb është thënë “ku shkuan 20 milionë dollarë që dhamë për destabilizimin e Shqipërisë”?
Absolutisht po. Unë kisha informacion edhe për personat që i kishin sjellë.
Si ka mundësi që nuk ia hoqët titujt dhe gradat që mbante diktatori?
Ato janë të gjitha të hequra. Kjo është legjendë, ato janë të hequra, ka rezoluta parlamenti që në vitin ’92 dhe janë të hequra që të gjitha.
Në një dokument të datës 14 shtator 1998 kërkohej nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, heqjja e imunitetit ndaj Sali Berishës dhe dhënia e lejes për procedim penal dhe arrestim. Ju kujtohet?
Përpara kësaj ka një kërkesë tjetër, ku u burgosën të gjashtë dhe u kërkua edhe heqja e imunitetit tim. Nuk më arrestuan dhe doli Arben Rakipi, ku në tavolinë kishte vendosur një shishe “Pepsi Cola” dhe që tha se ishte prova, këtë ka përdorur Berisha si helm kundër njerëzve në Vlorë dhe një gazetare i tha se ajo është thjesht një “Pepsi Cola”.
Z.Berisha, pas 4 muajsh mbushen 3 vjet që PD drejtohet nga Lulzim Basha. Si kanë qenë sipas jush këto 3 vite nën drejtimin e tij?
Kanë qenë 3 vite shumë të vështira për PD, sepse PD humbi zgjedhjet. Përveç humbjes së zgjedhjeve, unë dhashë dorëheqjen dhe nuk kemi të bëjmë më me një kalim të drejtimit nga një kryetar te një tjetër, por nga një gjeneratë, në një gjeneratë tjetër. Ky është ndryshimi më i madh, më i thellë. Basha është gjeneratë tjetër. Kjo ndoshta është specifika, e cila për mendimin tim është pozitive, por nga ana tjetër adaptimi ndaj një ndryshimi kaq të madh është një proces më kompleks. Kështu e gjykoj unë. Përpjekjet e PD-së janë të mëdha. Ka arritur në këtë periudhë, duke mos injoruar dobësitë dhe të metat, por ka arritur disa suksese spektakolare të qëndrueshme, të rëndësishme. Së pari, PD është e bashkuar pavarësisht nga diversitetet e mendimeve, por ajo doli nga ky proces si një forcë politike e bashkuar dhe unë e quaj pozitive këtë. A ka luajtur rol kryesor këtu Lulzim Basha? Unë them se ai ka luajtur rol kryesor. Së dyti, ia doli t’i bëjë vendit një shërbim, unë e quaj të madh për dekriminalizimin.
A është fitore personale e z.Basha? Sepse inicimi ishte i tij realisht?
Merita është e tij më shumë se e kujtdo tjetër. Kur një forcë politike bën kazus dhe me bojkot dekriminalizimin, asgjë më të vështirë nuk ka. Ku është parimi dhe ku është mbështetja. Dhe e arriti, dhe fakti që John Kerry e paraqiti këtë si gjënë më konkrete që vlerësoi në zhvillimet, është një arritje për opozitën. Paçka se Edi Rama ditën tjetër del me Roshin dhe me Poçin, këto janë…
A ju erdhi keq që Sekretari Kerry nuk ju takoi? Vetëm ju dhe z.Meta nuk ju takoi?
Absolutisht jo, pse duhet të më takojë? Nuk kishte përse të më takonte. Unë jam një…Sekretari Kerry erdhi këtu për katër orë dhe do ishte absurde të mendoja qoftë edhe për një sekondë se do më takonte…
Një pjesë ju kërkojnë të ktheheni në krye të PD..
Jo. Nuk ndodh kjo. Nuk kam interes personal. Gjithçka bëj aty, gjithçka them, gjithçka shkruaj e bëj për një qëllim, të mbroj interesin publik siç e gjykoj unë. Pa pretenduar se unë kam monopolin e së vërtetës për interesin publik. Por siç e gjykoj. A mundem unë të rri indiferent ndaj interesit publik? Kurrë! Tjetër gjë dua të sqaroj: unë shfrytëzoj gjysmën e kohës që më takon si deputet në një seancë. Duhet të dijë çdo njeri që për çdo ligj që diskutohet në seancë, çdo deputet kanë 10 minuta kohë. Për çdo marrëveshje që diskutohet, deputeti ka të drejtë 20 minuta. Tejkalime në diskutime ka, por të parët që e thyejnë rregullin janë ministrat. E dyta, aty është vënë një rregull, që kur flet kryetari i mazhorancës, duhet të flasë edhe kryetari i grupit tonë, ose një i deleguar nga grupi. Ndaj unë flas në kohën time, por ata e urrejnë parlamentin.
A ka nevojë Partia Demokratike për një Ben Blush?
Meqë po më pyet, po përgjigjem me shumë respekt. Larg dhe sa më larg një Ciprasi, një njeriu që imiton Ciprasin. Se ai nuk është as Ciprasi, se Ciprasi është vendimmarrës, është karizmatik, kurse ky është një njeri që shpall platformë pothuaj të ekstremit të majtë dhe që mund të them se PD ka fat që nuk ka një si ai.