Ish-kryeministri Sali Berisha e quan Edi Ramën “një kufomë politike të pakallur”, pas seancës së sotme në Kuvend për procedurën e mocionit me debat, të kërkuar nga opozita. I pyetur nga moderatori Blendi Fevziu, për trumbetimin e kësaj çështje, Berisha tha se Rama sot duhet të dorëhiqej.
“Prisja që Rama të mbyllte dosjen dhe tu kërkonte falje shqiptarëve për aktin e tij të pashembullt dhe të ikte, të jepte dorëheqjen. Çdo kryeministër që është përballë një skandali të përmasave botërore, duhet ta bënte”, u shpreh Sali Berisha, kur u pyet për faktet e reja.
Pjesë nga biseda në studion e emisionit “Opinion”:
Sali Berisha: Sot, PD kishte një qëllim: Të bënte transparencën e plotë të një skandali. Si një nga aktet më të papërgjegjshme ndaj partnerit më kryesor, udhëheqësit të NATO dhe të paqes në botë, SHBA, nga kryeministri i një vendi, krimet që në këtë skandal ka kryer direkt Edi Rama me aktet e tij të korruptimit dhe kërcënimit në mënyrë shumë serioze të SHBA, krimin e e tij antikushtetuese, përpjekja për të shkatërruar opozitën shqiptare duke paguar si vrarës me pagesë “McGonigal”, dhe një grupi mafioz për të gjobitur biznesmenët shqiptarë, duke pasur si figurantë kryesor Dorian Duçkën, Agron Nezën dhe MCGonigal.
Pyetje: Deklaruat se do nxirrnit fakte dhe akuza të reja. Nga ajo që u ndoqa, nuk kishte asnjë?
Sali Berisha: Ritheksuam përdorimin e ministrave në funksion të McGonigal. Dërgimin në Vjenë të ministres së Drejtësisë.
Pyetje: Po këto ishin thënë zoti Berisha, ju thatë do nxjerrim fakte të reja?
Sali Berisha: Prisja që Rama të mbyllte dosjen dhe tu kërkonte falje shqiptarëve për aktin e tij të pashembullt dhe të ikte, të jepte dorëheqjen. Çdo kryeministër që është përballë një skandali të përmasave botërore, duhet ta bënte.
Rama foli dhe iku si një kufomë politike. Nëse ata që janë aty (të ftuarit në studio) studiojnë qëndrimin e tij, ai është i pakallur. Nuk po them që ka ikur, po ka mbetur kufomë politike. Ai ka lëvizje të pakontrolluara.
Pyetje: Zoti Berisha, Rama paralajmëroi diçka të çuditshme. (Nxjerr një material video nga Kuvendi). Paralajmëroi një tjetër non-grata.
Sali Berisha: Degradimi intelektual i një njeriu që është futur në një vorbull që është totalisht i pakallur. U përpoq të mohojë, duke lexuar sipas tij akt-padinë, por e vërteta është se siç e bëri të qartë prokurori amerikan, ata që paguajnë punonjësit e SHBA punojnë kundër interesave të këtij vendi.
/a.r