Pas shoqërimit të shoferit të kazinosë Rodi Barçi, policia, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës shoqëroi për të marrë në pyetje edhe shoqen e Joyt, Emili Mutua, si person që ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. E reja, sipas burimeve, i ka qëndruar të njëjtit version që ka deklaruar edhe më herët në lidhje me dyshimet e saj.
Emili ka pohuar se Joy i ka treguar asaj shantazhet që shoferi Barçi i kishte bërë kohët e fundit për të vijuar lidhjen me njëri-tjetrin. Emili ka theksuar edhe një herë se ka dyshime që në ngjarje të jetë i përfshirë Barçi dhe persona të tjerë, por pa folur me persona specifik. Edhe pse për shantazhet e shoqes ajo tregon se është vënë në dijeni pak ditë para se të ndodhte ngjarja në gusht 2022. Hetuesit thonë se dëshmia e vajzës nuk i ndihmon për zbardhjen e ngjarjes dhe se është e pabesueshme për grupin hetimor. Emili Mutua është marrë në pyetje në ambientet e Komisariatit nr. 1 në Tiranë, por çështja tashmë po hetohet bashkë me prokurorinë direkt nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Shoferi i kazinosë ku punonte 22-vjeçarja nga Kenia Joy Aoko u mor në pyetje për disa orë në lidhje me dyshimet e hetuesve se mund të ketë gisht në rrahjen dhe dhunimin e të resë, e cila pas disa muajsh në koma humbi jetën në një spital në Kenia. Rodi Barci, 32 vjeç, ka deklaruar se ka qenë i lidhur me Joy-n, por në momentin kur ka ndodhur ngjarja, kanë qenë të ndarë dhe nuk kishin më lidhje me njëri tjetrin.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi prokurorisë së Kenias dhe i ka kërkuar që t’i vërë në dispozicion autopsinë që i është bërë 22-vjeçares në morgun e spitalit ku ajo ndërroi jetë. Kjo kërkesë vjen në kuadër të hetimeve të prokurorisë së Tiranës për vdekjen e Joy Ayoko. 22-vjeçarja u largua nga Shqipëria më 25 janar të këtij viti, drejt vendlindjes për t’u mjekuar në spitalin Kenyatta, në Kenia. Joy u largua nga spitali i Traumës në “half coma”, pra gjysmë koma, e pavetëdijshme dhe ndërroi jetë në Kenia.
Kujtojmë se që prej 14 gushtit të vitit 2022 vajza nga Kenia u shtrua për kurim në spitalin e Traumës, pasi u dhunua brutalisht dhe u hodh nga kati i dytë i banesës ku jetonte në rrugën “Pandeli Evangjeli” në Tiranë, megjithëse ngjarja është ende e mbuluar me mister. Rasti i dhunimit të 22-vjeçares solli në Tiranë edhe përfaqësues të ambasadës keniane në Itali. Ata diskutuan me nënën e Joy, mjekët që kujdesen për të renë në spital dhe më pas u takuan me efektivët e policisë që po hetojnë ngjarjen, të cilët i kanë çuar në banesën ku ndodhi dhunimi brutal i 22-vjeçares.
Deri më tani, askush nuk është arrestuar në lidhje me rastin, por policia pretendoi se ata janë në ndjekje të autorëve. 22-vjeçarja keniane prej 14 gushtit ndodhej në koma e shtruar në spitalin e Traumës me brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Dyshohet se 22 vjeçarja është hedhur nga ballkoni i dhomës së pallatit ku qëndronte, dhe denoncimin në polici e bëri nga një prej shoqeve. E reja punonte në një kazino të Tiranës ku jetonte prej kohësh së bashku me disa shoqe të saj gjithashtu nga Kenia. Nëna e vajzës keniane, që jetonte në Tiranë me disa shoqe të saj, u njoftua nga kompania e kazinosë që vajza e saj kishte përfunduar në spital. Sipas saj vajza u kishte treguar shoqeve se përndiqej nga një shofer taksie i cili vazhdimisht i kërkonte të krijonin raporte intime.
/s.f