Një sasi prej 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike, janë sekuestruar nga policia në tropojë. Lënda plasëse mbahej jashtë kushteve të sigurisë, në një subjekt minerar.
Në pranga kanë përfunduar administratori dhe drejtuesi teknik i subjektit për nxjerrjen e minerareve.
Materialet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për veprime të mëtejshme.
“Gjatë kontrollit në ambientet e këtij subjekti minerar, në vendin e quajtur “Kepenek”, shërbimet e Policisë kanë gjetur 276 kilogramë lëndë plasëse dhe 290 kapsolla detonatore elektrike që mbaheshin jashtë rregullave të përcaktuara për mbajtjen e tyre.
Në vijim të veprimeve për këtë rast, u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, shtetasit:
Xh. K., 32 vjeç, administrator i subjektit për nxjerrjen e minerareve dhe D. P., 56 vjeç, drejtues teknik i këtij subjekti.
Strukturat e DVP Kukës do të vijojnë kontrollet për të verifikuar pajisjen me licencë të subjekteve të tjera që ushtrojnë këtë aktivitet, si dhe zbatimin e rregullave të përcaktuara për mbajtjen e lëndëve plasëse, djegëse dhe radioaktive”, thuhet në njoftimin e policisë.
/s.f