Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se po ndërton në mënyrë të paligjshme brenda Parkut të Liqenit dhe sipas deputetes, Jorida Tabaku, kjo aferë ka edhe kosto financiare me faturë 500 mijë euro nga taksat e banorëve të Tiranës.
Nëpërmjet një deklaratë për mediat paraditen e së enjtes, deputetja Jorida Tabaku u shpreh se “ Erion Veliaj, jo vetëm është duke bërë një ndërtim të paligjshëm brenda Parkut të Liqenit, duke prekur një zonë të mbrojtur, duke prerë pemë, duke shkelur aty ku askush nuk guxoi për 25 vite, por ai po fsheh qëllimin e tij kryesor, klientelist e korruptiv. Eshtë kafja dhe restoranti që do ia japë mikut të tij, arsyeja kryesore pse Erion Veliaj po ndërhyn në Parkun e Liqenit”.
“Kryetari i Bashkisë përpiqet ta fshehë këtë, me propagandë bajate sikur ai dhe vetëm ai mendon për fëmijët e qytetit. E vërteta është se ai po mendon për klientelën dhe përfitimet e tij. Veliaj ka parashikuar ndërtimin e objekteve të shërbimit që janë kafe, restorant, kioske për gazetat. E gjithë skema e tij ka qënë jo transparente”, theksoi ajo.
Tabaku pohon se “Kjo aferë ka edhe kosto financiare përveç të tjerash, me faturë 500 mijë euro nga taksat e banorëve të Tiranës. Qytetarët e Tiranës dhe Partia Demokratike janë të vendosur të mos e lejojnë këtë paligjshmëri dhe sipërmarrje klienteliste të Erion Veliajt. Parku i Liqenit nuk është oborri privat i kryetarit të Bashkisë, por eshtë pasuri e qytetarëve dhe e tillë do të mbetet”.
Femijet Shqiptare, njeri me i bukur se tjetri, si yje. E meritojne kujdesin e Bashkise.