Jeton Lami ka refuzuar për 6 muaj për të dhënë shpjegime sa i përket marrëdhënies së tij me ish-bosin e lojërave të fatit Ervis Martinaj, duke pretenduar se do të fliste në një moment të mëvonshëm. Por gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se pak ditë më parë prokurori Bardhyl Shehu e ka pyetur atë në cilësinë e të pandehurit dhe i ka kërkuar të japë shpjegime në lidhje me rastin.
Për herë të parë Jeton Lami ka thyer heshtjen duke dhënë disa shpjegime të detajuara për sa i përket shoqërimit të Ervis Martinajt, por ka refuzuar të ketë dijeni për zhdukjen e tij.
“Ervis Martinajn e kam njohur 10 vite përpara. Me atë nuk kam pasur asnjë miqësi apo lidhje të ngushtë. Megjithatë tre ditë para se ta shoqëroja në Durrës, e kam takuar rastësisht tek një ambient te Zogu i Zi. Më ka kërkuar ta shoqëroja. E kam shoqëruar në drejtim të Durrësit dhe e kam dërguar në një hotel ku u takua me një mikeshën e tij. Të nesërmen kam shkuar sërish në Durrës, e kam marrë Ervis Martinajn dhe mikeshën e tij dhe i kam lënë në një ambient pranë një karburanti në zonën e Vorës. Aty sipas informacioneve që kisha Ervis Martinaj do të bënte disa takime. Në atë moment jam shkëputur me të dhe nuk kam asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me të”, ka deklaruar për prokurorin ish-agjenti Jeton Lami.
Ai pretendon se nuk ka asnjë lidhje me zhdukjen e Martinajt dhe se nuk ka asnjë informacion për të dhënë.
/a.r